A do ta marrë “bajrakun” e opozitarizmit BDI?!
Gazetari Seladin Xhezairi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se Qeveria e re VMRO-VLEN-ZNAM e nisi punën pak si me ters. Ai tha se në 100 ditshin e parë doli, si thuhet, terse në gojë e terse në punë
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 shtator – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pas gati 20 viteve kaloi në opozitë. Një parti e konsoliduar, por në anën tjetër, gati se të gjithë ekzistencën e saj e ka kaluar në Qeveri. BDI duhet të adoptojë një strategji të qartë si opozitë, duke analizuar politikat aktuale dhe duke ofruar alternativa konkrete. Është e rëndësishme të komunikojë me qytetarët për të kuptuar shqetësimet e tyre dhe për krijimin e ofertave reale para qytetarëve. Gazetari Seladin Xhezairi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se Qeveria e re VMRO-DPMNE-ZNAM-VLEN e nisi punën pak si me ters. Ai tha se në 100 ditshin e parë doli, si thuhet, terse në gojë e terse në punë.
“Në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm: U rihapën disa çështje që prekin tolerancën ndëretnike, si puna e përdorimit të gjuhës, flamurit, riorganizimi i administratës apo edhe përkeqësimi i marrëdhënieve me fqinjët – me Greqinë (mospërdorimi i emrit kushtetues), Bullgarinë ( Traktati i Miqësisë), Kosovën ( skandali me Presidenten) dhe rezervat ndaj Korridorit VIII që nuk i lënë indiferente as qendrat ndërkombëtare perëndimore të vendosjes. Shikuar nga ky prizëm, gjykoj se roli i opozitës shqiptare do të mund të vlerësohet nga pozicionimi për 100-ditëshin e parë. Për hir të së vërtetës, paralajmërimi i Platformës për legjitimitetin ndëretnik, në hartimin e së cilës mori pjesë edhe eksperti ndërkombëtar Paul Williams, flet se BDI do të marrë rolin e forcës kryesore opozitare në vend. Kjo për shkak se LSDM-ja aktualisht po përballet me mospajtime të brendshme, por edhe për shkak se nga çështjet e rikthyera në qendër të vëmendjes nga Qeveria VMRO-DPMNE-ZNAM-VLEN, nuk është se mund të nxjerrë ndonjë përftim, le të themi për garën e ardhshme elektorale”, shtoi ai.
Ai thotë se pret një betejë të ashpër pozitë-opozitë nga e cila fituesin dhe humbësin duhet kërkuar në kampin politik – shqiptar, para së gjithash!
Grupimi politik shqiptar VLEN, siç tha ai, si dhe aleatët e tij, përveç retorikës anti-BDI po provon se nuk ka tagër t’i kundërvihet partisë së kryeministrit Hristijan Mickoski, kursi politik i të cilit druaj se është ai që ka për të prodhuar destabilitet, pa çka se edhe eksponentë shqiptarë në kabinetin e tij qeverisës flasin për hiq më pak se “veprimtari armiqësore” të opozitës shqiptare!
“Prandaj, pozicionimi i partisë së Ali Ahmetit dhe përgjithësisht i Frontit Europian karshi ‘muajit të mjaltit’ dhe 100-ditëshit të qeverisë ka për të paralajmëruar edhe dinamikën e veprimit opozitar. Jam thellësisht i bindur se në zhvillimet politike në vend, ndikimin e vet, për të mirë a për të keq, do ta ketë edhe faktori i jashtëm, euro-amerikan e edhe ai lindor. Pa impakt s’ka për të qenë as kthimi së shpejti i ish-kryeministrit Nikola Gruevski”, tha në fund Xhezari.
Nga ana tjetër, analisti Qenan Aliu për gazetën KOHA, ka deklaruar se opozita është hallkë shumë e rëndësishme në shoqërisë sepse po ashtu edhe ajo është pjesë e sovranit por edhe e sistemit.
“Kësaj radhe këtë detyrë i ka ra hise ta bëjë ‘Fronti Evropian’. Por bartësja e saj BDI mendoj se këtë tre mujorin e parë nuk e luan në mënyrë konstruktive këtë rol dhe kontributi i saj lenë shumë për të dëshiruar. Për të vetmin fakt tani për tani se nuk mund të kërkohet kushedi se çfarë përgjegjësie nga një qeveri pasi që udhëheqë më pakë se 100 ditë dhe duhet t’i lihet kohë për ta gjykuar tamam. Atakimi politik i artikuluar nga një opozitë konstruktive është e mirë jo vetëm për vet demokracinë por i ndihmon edhe qeverisjes dhe si rrjedhojë kjo është në dobi të të gjithë shoqërisë, shtetit dhe qytetarëve”, deklaroi në fund Aliu.
Ndryshe, Qeveria e Mickoskit u votua me 23 qershor të këtij viti me 77 vota pro dhe 22 kundër. Kundër Qeverisë së re votuan deputetët e LSDM-së dhe Levicës ndërsa deputetët e Frontit Evropian e lëshuan sallën e Kuvendit para votimit të Qeverisë. Fronti Evropian në krye me BDI-në pretendojnë se me votimin e Qeverisë së re dhe marrjen e VLEN-it në Qeveri është shkelur dhe nuk është respektuar legjitimiteti i shqiptarëve. Ata për këto arsyeje ka një kohë të gjatë që kanë paralajmëruar protesta në sheshet e qyteteve por për një gjë të tillë ende nuk është parë ndonjë iniciativë më serioze në terren. (koha.mk)