
Vora ka treguar se është skuadra më e mirë e Kategorisë së Parë, të paktën deri në 20 javët e kampionatit, ku kryeson e vetme. Skuadra pushimin e së hënës e kaloi në “Arenën e Demave”, ku shumica prej lojtarëve dhe trajneri Bellai ndoqën kundërshtarin e radhës në ndeshjen Erzeni-Burreli.
Dje vorakët i janë përveshur punës për të përgatitur skuadrën në një transfertë delikate, e konsideruar shumë e vështirë, sikurse është fusha e Burrelit. Në Mat shumë ekipe kanë hasur pengesa, teksa Vora kërkon të mos gabojë në rrugëtimin e saj. Kësisoj, ata do të shkojnë në stadiumin “Liri Ballabani” të dielën me synimin e tri pikëve. Për momentin ende nuk mund të përcaktohet se kush mund të jetë formacioni titullar në këtë takim. Kjo, pasi ende nuk dihen performancat e lojtarëve dhe gjendja fizike dhe shëndetësore e tyre, duke ditur se vërdallë është dhe virozat e shumta. Eni Imami nuk është në formën e duhur dhe pas dëmtimit ende nuk e ka marrë veten. Megjithatë, deri të dielën, trajnerit Bellai i jepet kohë që të vendosë.
DEKLARATA – Mbrojtësi i krahut të djathtë, që ka edhe tipare sulmuese dhe shkon deri në portën kundërshtare, si një motor i fushës, Ysni Ismaili thotë për “Panorama Sport” ka dhënë një prononcim të shkurtër, ku nuk i fsheh objektivat për të kaluar me sukses Burrelin. “Me Besën kaluam një provë mjaft të vështirë dhe ruajtja e distancës me këtë skuadër na ka shtuar më shumë besim dhe optimizëm në objektivin tonë drejt Superiores.
Tashmë nisin ndeshjet delikate, siç është transferta e radhës në Burrel. Ajo fushë është e vështirë për çdo skuadër dhe përjashtim nuk bëjmë as ne. Kjo na bën të mos jemi euforikë, por të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi për ne tashmë çdo ndeshje është një finale, derisa ekipi ynë të arrijë objektivin matematikisht. E rëndësishme është të mos ngarkohemi psikologjikisht dhe të ruajmë qetësinë, duke u përqendruar vetëm te kundërshtari i radhës. Ne do të shkojmë atje vetëm për tri pikë”, deklaroi Ismaili.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
