February 13, 2025
REDAKT.Ulet-numri-i-popullates-ulet-edhe-numri-i-dhuruesve-te-gjakut.jpg


Para një dekade, në Dibër grumbulloheshin edhe mbi 700 njësi gjaku, kurse viteve të fundit grumbullohen diçka më shumë se 300 njësi gjaku. Vitin e kaluar, nga shtatë aksione u grumbulluan 303 njësi gjaku, ose 50 më pak se në vitin 2023

Vjollca SADIKU

Dibër, 20 janar – Nga viti në vit, numri i popullatës në Komunën Dibër ulet, dhe një ulje pëson edhe grumbullimi vullnetar i gjakut. Para një dekade, në Dibër grumbulloheshin edhe mbi 700 njësi gjaku, kurse viteve të fundit grumbullohen diçka më shumë se 300 njësi gjaku. Në organizatën komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, e cila realizon edhe grumbullimin vullnetar të gjakut, thonë se migrimi i popullatës ka ndikuar negativisht edhe në grumbullimin e dhurimit të gjakut. Sipas të dhënave të Sekretarit të organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Telqiu, gjatë vitit 2024 në Dibër janë organizuar shtatë aksione vullnetare për grumbullimin e gjakut dhe janë grumbulluar vetëm 303 njësi gjaku. Një vit më parë, respektivisht në vitin 2023 janë grumbulluar 353 njësi gjaku, që do të thotë se vitin që shkoi, ka patur 50 njësi gjaku më pak.

“Edhe pse ka rënie të numrit të grumbulluar të njësive të gjakut, Dibra mbetet edhe më tej në pjesën të lartë të dhuruesve vullnetar të gjakut. Nëse merret parasysh numri i qytetarëve, atëherë mund të themi se jemi të kënaqur nga grumbullimi vullnetar i gjakut. Po ashtu mundemi të potencojmë se është një moment shumë pozitiv, që vazhdon të rritet numri i dhuruesve të gjakut nga ana e të rinjve, meqë para një apo dy dekadave, dominonin dhuruesit e moshuar të gjakut”, tregon sekretari i Kryqit të Kuq komunal, Isni Telqiu.

Sipas tij, rezultate shumë pozitive ka nëpër shkollat e mesme, por jo vetëm atje, meqë duke mbajtur ligjërata për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut, të rinjtë kanë rritur vetëdijen dhe kanë interes për të dhuruar gjak. Edhe në takimet me të rinjtë, ata thonë se janë të interesuar për të dhanë gjak në aspekt vullnetar. “Në uljen e numrit të njësive të grumbulluara të gjakut megjithatë kanë ndikuar, përveç migrimit të popullatës edhe ulja e numrit të aksioneve. Më parë, gjatë një viti mbaheshin edhe nga 12 aksione vullnetare, kurse viteve të fundit realizohen nga 6 apo 7 aksione”, shton Telqiu.

Duke komentuar situatën në sferën e grumbullimit të gjakut, Telqiu thotë se ka edhe dibranë të cilët dhurojnë gjak gjatë nevojave për intervenime shëndetësore për të afërmit e tyre apo për ata që kanë nevojë.

“Qëndron fakti se para më shumë se një dekade, Plani vjetor për grumbullimin e gjakut ishte 744 njësi gjaku, por tani plani është përgjysmuar ashtu siç është përgjysmuar edhe numri i popullatës. Besoj se edhe paraqitja e pandemisë Kovid ka patur një ndikim negative në uljen e njësive të grumbulluara të gjakut”, shton bashkëbiseduesi jonë. Kur jemi tek dhurimi vullnetar i gjakut, një hendikep është edhe mungesa e një Banke për mbajtjen e gjakut që i mungon Dibrës, respektivisht Spitalit të Përgjithshëm në Dibër. Aksionet tradicionalisht për grumbullimin vullnetar të gjakut i organizon Enti për Transfuziologji, meqë Dibra nuk posedon një ekip dhe Bankë për grumbullimin e gjakut, thonë kompetentët. Prandaj ka edhe shumë raste kur, për shkaqe shëndetësore, dibranët apo banorët e Qendër Zhupës japin gjak në Spitalin e Strugës, në Ohër, apo edhe në Kërçovë. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *