
“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes Teuta-Partizani, e luajtur dje në stadiumin “Niko Dovana” dhe e fituar nga të kuqtë me shifrat 0-2. Edhe njëherë theksohet mungesa e tifozëve, pasi në Durrës nuk ishin më shumë se 400 të pranishëm.
* Ndeshjes i paraprin një minutë heshtje në nderim të legjendës Sabah Bizi, i cili u nda nga jeta para pak ditësh në moshën 77-vjeçare. Nga ana tjetër, Partizani pati njoftuar se do të luajë me shirita të zinj në krahë, por kjo nuk u pa të ndodhte në fushën e blertë. Nuk dihet arsyeja përse të kuqtë nuk vunë në zbatim planin e publikuar në rrjetet sociale.
“Në respekt dhe për të nderuar legjendën e futbollit shqiptar Sabah Bizi, në përballjen ndaj Teutës, skuadra do të zbresë në fushë me shirita të zi në krah. Gjithashtu në të gjitha takimet e javës së 21 të ‘Abissnet Superiore’ do të mbahet një minutë heshtje”, shkruante klubi i kuq tri ditë më parë.
* Kekon e tradhtojnë këpucët, fillimisht në një rast “të artë” përballë Tafasit dhe pak minuta më pas.
* Tjetër dëmtim te Partizani. Buxhelaj detyrohet të lërë fushën e lojës dhe ne vendin e tij trajneri Veselinoviç “shpluhuros” Bytyçin, që prej javësh ka vendosur ta mbajë thjesht si një opsion më shumë në stol. Më vonë i dëmtuar detyrohet të dalë edhe Bintsuka. * Bintsuka në vrapim e sipër pëson një tërheqje muskulore, që e detyron të ndalet menjëherë dhe të kërkojë ndërrim.
* Dy presidentët, Gazment Demi dhe Edmond Hasanbelli, e ndjekin sfidën pranë njëri-tjetrit në sektorin “VIP” dhe në një moment inkuadrohen duke biseduar së bashku në një mënyrë shumë miqësore.
* Disa turistë nga vendet nordike, që kishin ardhur për të vizituar Durrësin, nuk e humbën shansin as për të përjetuar nga afër këtë ndeshje.
* Martini kërkon mendimin e ndihmësve të tij në një moment të lojës, ndoshta për të qartësuar ndonjë ide, duke parë se Teuta nuk po gjente dot të çara në mbrojtjen e kuqe.
* Gjatë pjesës së parë portieri i Teutës, Angelo Tafas, motivon të tijtë: “O çuna, po rrini vigjilentë në lojë, mos u shpërqendroni”, dëgjohet gardiani.
* Podstrelov shënon golin e parë në kampionat. Ai feston me shokët, por nuk mungojnë përgëzimet as nga shokët dhe stafi në pankinë.
PANORAMASPORT.AL
