October 7, 2024

Në mbrojtje të profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme, Tabaku e Bardhi depozitojnë nismën në Kuvend

0


Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi, deputetë të PD-së, kanë depozituar në Kuvend një nismë ligkjore, që sipas tyre synon mbrojtjen e profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme.

Nisma ligjore depozitohet në Kuvend, dy muaj pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Taksën mbi Profesionet e Lira si një taksim antikushtetues dhe të padrejtë, por mijëra taksapagues ankohen se përpara këtij vendimi ato janë detyruar nga qeveria për të paguar këtë taksë.

Përmes kësaj nisme ligjore, deputetët Tabaku dhe Bardhi synojnë rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

“Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë ,” deklaroi Tabaku në videon e postuar në rrjetet e saj sociale.

Ajo theksoi se, gjatë kohës kur vendimi ishte në shqyrtim, qeveria vazhdonte t’u kërkonte këto taksa bizneseve të vogla dhe profesionistëve të lirë, duke treguar një qëndrim të padrejtë ndaj shtresës së mesme.

Tabaku kritikoi ashpër qeverinë për mosveprimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. ” Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton ,” u shpreh ajo.

Gazmend Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare. “Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend,” deklaroi Bardhi.

Ky hap tregon angazhimin e Partisë Demokratike për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të promovuar politika që favorizojnë rritjen ekonomike dhe sociale të vendit. Iniciativa është një tjetër premtim i mbajtur ndaj shtresës së mesme dhe dëshmi e vullnetit të opozitës për të qëndruar pranë tyre.

Pritet që propozimi ligjor të diskutohet në Kuvend, ku PD do të kërkojë mbështetjen e të gjithë deputetëve për miratimin e tij, në mënyrë që drejtësia dhe barazia të jenë themeli i politikave fiskale në vend.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *