Mandati i deputetit socialist Vullnet Sinaj, çfarë pritet nga Këshilli i Mandateve
Këshilli i Mandateve mblidhet sot, në orën 12:30, për të diskutuar mandatin e deputetit të PS-së Vullnet Sinaj.
“Vijimi i mbledhjes për mocionin nga 1/10 e deputetëve përfaqësues të Grupit Parlmentar të Partisë Demokratike “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dher mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarmit të mandatit të deputett Vullnet Sinaj””, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mandateve, Vullnet Sinaj dhe Gazment Bardhi janë përplasur në akuza reciproke.
Bardhi pretendoi se Sinaj është në shkelje të Kushtetutës pasi ka përfituar fonde publike. Por Sinaj tha se është një donator, që prej 20 vitesh është marrë me biznes.
“Ne të dy e dimë shumë mirë, ty as të tutë nuk të besojnë. Nuk të kanë dhënë firmën. i ke shantazhuar, dole në televizor në datën 6 dhe kërkesën e depozitove në datën 8, sepse nuk kishte firmat.
Por me shumë gjasa ne do të përplasemi edhe mandatin tjetër bashkë”, i tha Sinaj, Bardhit.
Më herët kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi që çështja të kalojë në Gjykatën Kushtetuese për tu diskutuar.
“S’keni pse të keni frikë, çështjen ta shqyrtojë Kushtetuesja. Nëse ju mendoni se ne gënjejmë atëherë le të jetë Gjykata që do të vendosë”, tha Bardhi.
Në mbledhjen e sotme pritet që palët të paraqesin pretendimet e tyre dhe në fund Këshilli i Mandateve pritet të dalë me një ose dy qëndrime, që i përcillen seancës plenare. Në varësi të vendimmarrjes, është Kuvendi që merr vendimin nëse çështjen ia përcjell ose jo Gjykatës Kushtetuese.