Interi dhe Monza ndajnë pikët
Interi ka luajtur baras me rezultat 1-1 ndaj Monzës në udhëtim në kuadër të xhiros së katërt në elitën e futbollit italian.
Mysafirët në këtë takim kishin pushuar disa nga yjet kryesor duke marrë parasysh se në mesjavë do të luajnë ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
Kjo i dha rast Kristjan Asllanit që të luante nga minuta e parë, ndërsa paraqitja e Interit në pjesën e parë ishte e zbehtë dhe pa raste të mira shënimi.
Monza po mbrohej mirë duke mos i lejuar zikaltërve asnjë hapësirë për ta shfrytëzuar për ndonjë sulm në drejtim të portës.
Ishte pjesa e dytë ajo që ishte më aktive pasi u shënuan që të dy golat e kësaj sfide.
Fillimisht ata që kaluan në avantazh ishin vendasit që ia dolën të shënojnë për 1-0 me anë të Dany Motas që me kokë realizoi në minutën e 81-të.
Interi reagoi disa minuta më vonë, duke barazuar rezultatin në 1-1 me anë të Denzel Dumfries i cili me lehtësi shënoi pas asistimit të Carlos Augustos.
Pas këtij barazimi Interi zbret në pozitën e dytë me tetë pikë të grumbulluara ndërsa javën e ardhshme do të luajë derbin e qytetit ndaj Milanit.