Prindërit nuk janë shumë dakord me Konceptin e ri, sepse besojnë se nxënësit në moshë të vogël po ndeshen me shumë gjëra të panjohura dhe se mësimet janë të ngarkuara me shumë të dhëna që mbulojnë periudha të gjera, sidomos në histori dhe shoqëri. Edhe në Matematikë, zgjidhja e detyrave nuk është ajo që kemi mësuar diku. Tani vetëm se është ndërlikuar. Më tragjikja, MASH e ka gati një Koncept tjetër, krejtësisht të ri nga ky aktuali i aprovuar në vitin 2021
Anëmsha SHABANI
Shkup, 25 shtator – Përkundër fakti se Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë dhe rregullimi i arsimit mund të bëhet në mënyrë më të lehtë, si duket Qeveria nuk arrin të përpilojë një Strategji të përshtatshme dhe të përmirësojë situatën në të cilën ndodhet aktualisht arsimi. Nxënësit e klasës së parë dhe të katërt, nga viti 2021 filluan të studiojnë Konceptin e ri për arsimin fillor, Koncept ky që u miratua në mars të po atij viti. Në ndërkohë, Koncepti i mbuloi të gjithë nxënësit deri në klasën e gjashtë dhe vetëm tre vjet më vonë, pa u vlerësuar rezultatet e arritura, u shpall Koncepti i ri arsimor për arsimin fillor dhe u anulua prezantimi i tij për klasat e shtata, të teta dhe të nënta. Mirëpo, prindërit nuk janë shumë dakord me Konceptin e ri, sepse ata besojnë se nxënësit në moshë të vogël po ndeshen me shumë gjëra të panjohura dhe se mësimet janë të ngarkuara me shumë të dhëna që mbulojnë periudha shumë të gjera në histori dhe shoqëri.
“Detyrat e shtëpisë që ua japin, as unë vetë personalisht nuk mund t’i zgjidh, e të mos flasim për fëmijët. Nuk po më pëlqen ky Koncepti i ri, për ta është shumë e vështirë. Për shembull, Matematika nuk është e njëjtë me atë që kemi mësuar, ose edhe mënyra se si u kërkohet të zgjidhin një detyrë. Shpresoj të gjendet një zgjidhje për këtë, e që fëmijët të mos dëshpërohen dhe vet shteti të mos dalë turpshëm në rezultatet ndërkombëtare”, theksoi një prind.
Vitet e kaluara, Koncepti ishte futur për të gjitha klasat – nga e para deri në të gjashtën, ndërsa këtë vit ishte menduar të fillonte zbatimi për klasat e shtata, të teta dhe të nënta. Por, autoritetet vendosën të shpallin një Koncept krejtësisht të ri. Megjithatë, mungojnë të dhënat për suksesin e Konceptit aktual të prezantuar që në vitin 2021, ku për momentin po zhvillohet një revizion dhe nuk ka asnjë vlerësim në shifra.
“Rishikimi i Konceptit për arsimin fillor është një proces që ka filluar dhe në të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara dhe më e rëndësishmja është që të përfshihen mësuesit, pra ata që fatkeqësisht nuk janë konsultuar dhe përfshirë më parë në krijimin e dokumentit. Ndryshe, këtij procesi i ka paraprirë vendimi për shtyrjen e zbatimit të Konceptit për arsimin bazë në klasat e shtata, të teta dhe të nënta. Shkak për këtë janë reagimet e mësimdhënësve, të cilët në dy vitet e fundit janë përballur me sfida të shumta lidhur me mënyrën e mësimdhënies së lëndëve të integruara – histori dhe shoqëri, shkenca natyrore etj”, thanë nga MASH-i, duke shtuar se mësuesit kurrë nuk kanë marrë udhëzime se si të mësojnë, të administrojnë teste, të vlerësojnë, mirëpo që tani – sugjerimet e tyre të qëndrueshme do të jenë pjesë e kurrikulave të reja që do të përgatiten nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) dhe do të futen gradualisht nga viti i ardhshëm shkollor dhe në dy vitet e ardhshme.
Me Konceptin, nxënësit do të kalojnë pesë deri në gjashtë orë në shkollë dhe mësimi do t’i përshtatet nevojave dhe mundësive, u njoftua katër vite më parë dhe është ndër të paktat ndryshime të prezantuara që do të mbeten në konceptin e sapo shpallur. Kujtojmë se në rezultatet e PISA-s nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë të fituara, Maqedonia u rendit në vendin e 61-të sipas rezultateve të matematikës. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, lexim me kuptim -jemirenditur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore – nxënësit tanë shënuan 380 pikë, që e renditi Maqedoninë në vendin e 68-të në Evropë.
Ndryshe, MASH-i ishte shpeshherë “guri i artë” i shkëmbimit të ministrive në koalicionet paszgjedhore apo kur bëheshin akrobaci në shumicën qeveritare. Pra, që nga shpallja e Pavarësisë së vendit e deri më sot, Maqedonia ka ndërruar rreth 20 ministra arsimi. Në 30 vitet e fundit, ministri i Arsimit është ndërruar mesatarisht çdo 1.6 vjet. Deri më tani, vetëm një ministër ka kryer mandatin e plotë katërvjeçar. Dhe, vëmendja e Qeverisë në vitet e fundit nuk ka qenë e drejtuar në avancimin e shkencës dhe arsimit. Për të dalë nga kjo situatë, sipas ekspertëve të fushës, Maqedonia duhet të marrë shembull nga metodat e vendeve të tjera që kaluan në tranzicion, për shembull, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria. (koha.mk)