Edhe pse ky çmim është më i ulët se ai në Serbi, gjithsesi është shumë më i lartë se vendet e tjera të rajonit, si Kosova dhe Shqipëria. Kjo situatë ka ngjallur shqetësime të ndryshme lidhur me mundësitë e prindërve për të përballuar këto kosto dhe ndikimin që kjo ka në cilësinë e arsimit dhe mundësinë e gjithë fëmijëve për të ndjekur shkollimin
Anëmsha SHABANI
Shkup, 16 janar – Në vendin tonë, si në shumë vende të rajonit, arsimi privat ka filluar të luaj një rol të rëndësishëm në ofrimin e mundësive për arsimimin e fëmijëve. Me një kosto mesatare prej 279 eurosh në muaj, Maqedonia e Veriut renditet e dyta më e shtrenjtë në rajon për shkollimin në institucionet private, pas Serbisë. Edhe pse ky çmim është më i ulët se ai në Serbi, gjithsesi është shumë më i lartë se vendet e tjera të rajonit, si Kosova dhe Shqipëria. Kjo situatë ka ngjallur shqetësime të ndryshme lidhur me mundësitë e prindërve për të përballuar këto kosto dhe ndikimin që kjo ka në cilësinë e arsimit dhe mundësinë e gjithë fëmijëve për të ndjekur shkollimin. Megjithatë, për shumë prindër, arsimi privat ofron një alternativë më të mirë ndaj sistemit publik.
Prindi i dy vajzave në “Yahja Kemal”, Elez Ganiu nga Kumanova, deklaroi për gazetën KOHA se ai e ka zgjedhur shkollën private për vajzat e tij për shkak të kushteve më të mira dhe mësimit më adekuat, duke besuar se kjo është një investim për të ardhmen. Ai e konsideron arsimin privat më të mirë se atë publik, edhe pse është i shtrenjtë.
“Unë i kam dërguar fëmijët në shkollë private për disa arsye. Në fillim, kostoja është e lartë, por besoj se merr vlerë. Shkolla ofron kushte më të mira, klasa më të vogla, dhe një mësimdhënie më të personalizuar. Edhe pse ndiej se kam bërë një sakrificë të madhe financiare, kam besim se arsimi që po marrin është një investim për të ardhmen e tyre. Po ashtu, e shoh që shkollat publike janë shumë më të mbingarkuara dhe ndonjëherë mësimi është shumë i përgjithshëm, pa ndihmuar mjaftueshëm për nevojat specifike të fëmijëve. Për mua, ky është një tregues se arsimi privat ka shumë përparësi, edhe pse është më i shtrenjtë”, shtoi ai.
Gazeta KOHA bisedoi me ekspertin e arsimit Xheladin Murati mbi diferencën mes këtyre dy sistemeve arsimore dhe se sa ia vlen të investohet në arsimin privat. Murati shpjegon se shkollat private në vend filluan të hapen pas kalimit në sistemin pluralist demokratik dhe se ato nuk varen nga qeveria, por disa prej tyre përfitojnë mbështetje financiare përmes lidhjeve politike.
“Arsimi dhe shkollat private që nuk administrohen dhe nuk financohen nga Qeveria në Maqedoni, kanë filluar të hapen që nga kalimi i shoqërisë në sistem plural demokratik. Këto institucione arsimore nuk varen nga pushteti qendror apo nacional dhe as nga pushteti lokal. Megjithatë, ka raste kur qeveria përfshin edhe në arsimin privat siç është rasti me UEJL duke e konsideruar atë si universitet publiko privat. Në këto raste vendimtare është afërsia politike me drejtuesit e institucioneve”, theksoi ai.
Murati shprehet me rezerva ndaj arsimit privat, pasi thotë se është konkurrencë e padrejtë ndaj arsimit publik dhe devalvon vlerat arsimore, duke përmendur – kuptohet me përjashtime, praktikat e shitjes së diplomave dhe notave, dhe sugjeron mbylljen e këtyre institucioneve.
“Edhe pse arsimi privat duke filluar që nga çerdhet, shkollat fillore e të mesme dhe arsimi sipëror kushton shumë, në shoqërinë tonë ka marrë përmasa të gjera për shumë arsye. Arsimi privat i të gjitha niveleve shkaktoi një konkurrencë aspak lojale ndaj arsimit publik, solli çekuilibrim në mbarëvajtjen e arsimit, devalvoi vlerat arsimore. Konkurrenca reflektohet në uljen e suksesit dhe të cilësisë në dije, aty jo vetëm shiten diploma dhe blihen notat, por edhe blihen dhe shiten titujt shkencor, doktoratura e magjistratura. Institucionet e tilla duhet mbyllur”, thotë Murati, duke shtuar se arsimi privat e devalvoi arsimin, dijen, vlerat dhe krijoi hiperproduksion të kuadrit apo thjesht u trefishua prodhimi i kuadrit në të gjitha fushat.
Ndër të tjera, për krahasim, Kosova mban vendin e parë për koston më të ulët, me një tarifë mujore mesatare prej 137 eurosh. Në Shqipëri, regjistrimi i fëmijës në arsimin fillor në sektorin privat u kushton prindërve mesatarisht rreth 210 euro në muaj. Pas saj vijnë Mali i Zi me 275 euro në muaj dhe Maqedonia e Veriut me 279 euro. Ndërsa, Serbia rezulton vendi më i shtrenjtë, me kosto mujore prej 315 eurosh. (koha.mk)