February 13, 2025
1111REDAKT.Edhe-nje-premtim-per-ujin-ne-Pallcishtt.jpg


Pas shumë protestave të banorëve të këtij fshati, në tetor të vitit 2022, filluan punimet për tubacionin furnizues të ujësjellësit. Premtimet në atë kohë ishin se punimet duhet të përfundojnë për nëntë muaj. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, ende këtij projekti nuk i shihet fundi

Urim HASIPI

Tetovë, 16 janar – Rreth  5000 banorë të fshatit Pallçisht të Komunës së Bogovinës vazhdojnë të kenë probleme me mungesën e ujit të pijshëm tash e më shumë se 20 vite. Më vështirë bëhet në pranverë, kur për shkak të reshjeve të shiut uji i fshatit nuk mund të përdoret as për çështje higjienike. Banorët janë të detyruar vazhdimisht të blejnë ujë për pije apo edhe të hapin puse private. Ndërkaq, pas shumë protestave të banorëve të këtij fshati, në tetor të vitit 2022, filluan punimet për tubacionin furnizues të ujësjellësit. Premtimet në atë kohë ishin se punimet duhet të përfundojnë për nëntë muaj. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, ende këtij projekti nuk i shihet fundi.

Ndërkohë, ditë më parë në fshatin Pallçisht ishte për vizitë zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli. Ajo, në njoftimin e lëshuar për media thotë se ky investim synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore, por është e rëndësishme të theksojmë se, në formën e tij aktuale, ky rrjet nuk mund të sjellë asnjë përfitim për qytetarët, pasi ende nuk është lidhur me rezervuarët e ujit, të cilët janë nën kompetencat e komunës.

“Pa këtë lidhje, furnizimi i rregullt me ujë mbetet i pamundur. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se uji aktual nuk është i pijshëm dhe përdoret vetëm për nevoja higjienike. Synimi ynë si qeveri është që, në të ardhmen e afërt, duke punuar fort dhe në bashkëpunim të ngushtë me profesionistët e fushës dhe qytetarët, të sigurojmë një rrjet ujësjellësi që do të garantojë furnizimin me ujë të pijshëm. Ky është një objektiv që nuk ofron vetëm zgjidhje për nevojat bazike të përditshme, por gjithashtu garanton një të drejtë themelore dhe jetike për çdo qytetar të  fshatit Pallçisht”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit të zëvendësministres në këtë fshat, ajo takoi banorët por jo edhe kryetarin e Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu. Lidhur me këtë projekt, kryetari i Bogovinës thotë se punët kanë përfunduar.

“Projekti i ujit në vendbanimin Pallçisht është gati, mirëpo në konsultim me kompaninë, me bashkësinë lokale dhe me qytetarët, në Pallçisht ka dy rezervuare, i riu dhe i vjetri. Në projekt ka qenë që të lidhet me rezervuarin e vjetër, por kemi rënë dakord me ndërtuesin që lidhja të bëhet në rezervuarin e ri. Për momentin ky rezervuar nuk është funksional, pritet që të rregullohet dhe rrjeti të lëshohet në përdorim. Në vizitë ka qenë zëvendësministrja por unë dhe kabineti im nuk kemi pasur ftesë. Ajo mund të thotë çka të dëshirojë,punët janë kryer”, tha kryetari i Bogovinës, Besnik Emshiu.

Fshati Pallçisht ka rreth 1100 shtëpi dhe rreth 5000 banorë. Para se të fillonte projekti i ujësjellësit në vlerë prej 277 mijë euro, banorët disa herë kishin bllokuar rrugën rajonale Tetovë-Pirok, shkaku i mos zgjidhjes së problemit të ujit të pijshëm. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *