Me vendim të prokurorit për 48 orë është ndaluar shefi i asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, pasi shkuli mikrofonin e Kuvendit Komunal në Prishtinë.
Ai shkroi në Facebook se shkuljen e mikrofoni e beri “për të shpërfaqur një Pazar të madh në Prishtinë.
“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’, dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë. A jemi nuk e di? Veprimi im ishte për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë. Asgjë më shumë. Por, imagjinoni përpara me mbiemra pushtetarësh çka ndodhte. As me thirrë nuk kanë guxu, se lëre më shumë”, ka thënë Sveçla.
Veprimet e tij Sveçla i arsyetoi, duke thënë se deshi “të pamundësonte vazhdimin e një seance të jashtëzakonshme klandestine ku do të votohej Plani Zhvillimor Komunal dhe zgjerimi i Zonës Ekonomike”.
Ai ka thënë se edhe pse mikrofoni u rregullua, seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit dhe, siç ka theksua ri “të paktën përkohësisht, nuk u miratuan projekte qe e dëmtojnë qytetin, e ngufasin zhvillimin dhe ju shërbejnë pronave të oligarkëve duke i shndërruar nga toka bujqësore e hapësira të gjelbra në zona ekonomike”.