
Kryetari ri i shoqatës Hakim Buxhaku në Kuvendin zgjedhor falënderoi pjesëmarrësit për zgjedhjen e tij për kryetar dhe tha se do të angazhohet me bordin e ri që të planifikoj dhe organizojë një Program për realizimin e detyrave të shoqatës i cili do të jetë në interes të të gjithë komunitetit dibran në Amerikë
Vjollca SADIKU
Dibër, 7 tetor – Mërgimtarët dibranë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, realizuan zgjedhje për udhëheqësinë e re të Shoqatës Atdhetare “Dibra” me seli në Staten Island – Nju Jork. Është shoqata e vetme mbardibrane në Amerikë e cila koordinon aktivitetet e mërgimtarëve në SHBA. Pas disa përpjekjeve për zgjedhje të kryesisë dhe kryetarit të ri të cilët dështuan, dje shoqata zgjodhi kryetarin e ri. Kryetar i ri është Hakim Buxhaku i lindur në SHBA, fëmijë i prindërve që migruan viteve të 90-ta nga Dibra. Sipas të dhënave të shoqatës në fjalë në SHBA jetojnë afër 20 mijë dibranë.
Në Kuvendin zgjedhor i cili u mbajt në Nju Jork, foli kryetari i deritashëm Dash Miftari i cili duke prezantuar raportin e punës së shoqatës, tha se Bordi drejtues i deritashëm ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në aktivitetet e kësaj shoqate. Ai mes tjerësh potencoi se një nga sukseset e tyre është se e gjetën shoqatën me arkën bosh dhe tani ju trashëgojnë një buxhet prej afro 95.000 dollarësh, udhëheqësisë të re. Miftari prezantoi edhe aktivitetet të deritashme të shoqatës, bashkëpunimin me pushtetin vendor në Dibër, aktivitetet që realizohen në kontinuitet nga ana e dibranëve dhe koordinimin e aktiviteteve në të gjithë shtetet e SHBA-ve ku jetojnë dibranët në Amerikë. Një vëmendje të veçantë i kushtoi edhe interesimit të dobët të mërgimtarëve për pjesëmarrje në Kuvendet zgjedhore. Kryetari i deritashëm i shoqatës foli edhe për aktivitetet që ishin planifikuar dhe realizuar për vitin 2024.
Kryetari ri i shoqatës Hakim Buxhaku në Kuvendin zgjedhor falënderoi pjesëmarrësit për zgjedhjen e tij për kryetar dhe tha se do të angazhohet me bordin e ri që të planifikoj dhe organizojë një Program për realizimin e detyrave të shoqatës i cili do të jetë në interes të të gjithë komunitetit dibran në Amerikë. Kryetari i ri sipas statusit tani duhet të zgjedh bordin e ri, dhe risia e kësaj radhe është se ketë shoqate për herë të parë e marrin ne dorë gjenerata e dyte Dibrane në Amerike dhe pritet qe të ketë një modernizim dhe një energji e re.
Shoqata Atdhetare “Dibra”, është themeluar në fillim të viteve të 90-ta, në Staten Island në Nju Jork, ku jeton pjesa më e madhe e diasporës dibrane në Amerikë. Ajo me aktivitetet e saj mbulon edhe komunitetin dibran që jeton në shtetet e tjera të SHB –ve , siç janë Nju Xhersi, Florida, Arizona, Kolodaro, Alaska etj. Në vitet të kaluara shoqata ka patur një aktivitet të ngjeshur edhe në bashkëpunim me pushtetin vendor në Dibër. Dibranët në Amerikë, kanë dhanë dhe japin një kontribut shumë të madh në zhvillimin e Dibrës, por edhe në përkrahjen e shumë projekteve në Dibër dhe përkrahjen që japin për të afërmit e tyre. Projektet humanitare që ka realizuar kjo shoqatë në vendlindje është shumë e madhe. (koha.mk)