5 571 persona janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 498 aplikime janë refuzuar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës. Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë, më 26 dhjetor 2024.
Sipas tij, në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024 janë pranuar 744 kërkesa për ndërrimin e qendrës së votimit (574 përmes platformës elektronike dhe 170 në zyrat e komisioneve komunale të zgjedhjeve) prej të cilave janë miratuar 725 kërkesa, ndërsa 19 të tjera janë refuzuar.
Buzhala sqaroi se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024, përmes platformës elektronike janë pranuar 6 069 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 5 571, ndërsa 498 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Ai më tej ka bërë të ditur se në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, ka filluar programi orientues i trajnimit për anëtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve.
“Deri tani, seancat e trajnimit janë mbajtur me anëtarë të komisioneve komunale të zgjedhjeve nga komunat: Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Vushtrri, Mitrovicë e Veriut, Zvçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Në ditët në vazhdim, programet e trajnimit do të mbahen edhe në rajonet e tjera, si: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë”.