Xhiroja e 7-të e Superligës nis me derbi
Edhe këtë javë, sikurse javën e shkuar xhiroja e re e Superligës së Kosovës në futboll nis të premten dhe përfundon të dielën.
Këtë javë, do të zhvillohet xhiroja e shtatë e elitës së futbollit kosovar, ku pesë ndeshjet që janë në program, do të luhen përgjatë tri ditëve: të premten, shtunën dhe të dielën.
Megjithatë, kjo xhiro do të nis me derbi, e cila është edhe ndeshja më interesante në kuadër të javës së shtatë.
Dueli Llapi – Suhareka, do ta hap xhiron e shtatë të Superligës, ndërsa do të luhet të premten prej orës 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Llapi, i cili zë vendin e pestë në tabelë synon ta mposht Suharekën, ekipin lider të Superligës dhe të vetmin deri më tani që ende nuk di për humbje.
Aktualisht, Suhareka prinë në tabelë me 13 pikë, sa i ka edhe Malisheva në pozitën e dytë kurse në 5 ndeshje të luajtura këtë sezon, ka regjistruar katër fitore dhe një barazim.
Në anën tjetër, Llapi ka tri pikë më pak se Suhareka dhe është në formë të mirë pasi në këtë përballje futet pas serisë prej dy fitoreve.
Ka mposhtur në shtëpi Dritën dhe Ferizajn në udhëtim, ndeshje të cilat i ka fituar me rezultatin 1:0, ndërsa tani po kërkon edhe fitoren e tretë rresht.
Nën hijen e këtij derbi, do të zhvillohen edhe katër ndeshjet tjera të xhiros së shtatë, ku dy do të luhen të shtunën dhe dy të tjera të dielën, po ashtu prej orës 15:00.
Të shtunën, përballen: Ballkani – Ferizaj e Dukagjini – Drita kurse të dielën do të luajnë Gjilani Prishtina dhe Feronikeli ’74 – Malisheva.