Reagon BDI: Përjashtimi i shqiptarëve nga Komisionet, diskriminim i papranueshëm dhe dështim i përfaqësimit
Demokracia dhe barazia etnike janë parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Me shqetësim të madh, ne në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dënojmë vendimin e fundit të Ministrit të Arsimit për të zëvendësuar përfaqësuesit shqiptarë në komisione të ndryshme me përfaqësues maqedonas. Kështu thuhet në reagimin e BDI-së ndaj vendit të ministres për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, për shkarkimin e tetë shqiptarëve në Komisionet sektoriale të Kornizës Nacionale për Kualifikim (KNK), organ ky që punon ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
“Përjashtimi i plotë i përfaqësuesve shqiptarë nga këto komisione tregon jo vetëm një akt të qartë të diskriminimit etnik, por edhe dështimin e përfaqësuesve ilegjitimë shqiptarë në qeveri për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në vend. Kjo është një goditje e rëndë për barazinë dhe përfaqësimin e drejtë të komunitetit tonë në institucionet shtetërore”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Demokracia dhe barazia etnike janë parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Me shqetësim të madh, ne në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dënojmë vendimin e fundit të Ministrit të Arsimit për të zëvendësuar përfaqësuesit shqiptarë në komisione të ndryshme me përfaqësues maqedonas. Ky veprim është një shenjë e qartë e diskriminimit etnik dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat kyçe të vendimmarrjes.
Ja disa nga zëvendësimet e fundit që reflektojnë këtë praktikë diskriminuese:
Xhemile Idrizi u zëvendësua me Keti Kostovska
Xhuliana Zairi u zëvendësua me Georgi Pandeliev
Sokol Ahmeti u zëvendësua me Verica Paunovska
Laura Cana u zëvendësua me Slavica Mircevska
Liridona Bushi u zëvendësua me Daniela Graorska
Sadete Ramadani u zëvendësua me Biljana Trajkovska
Nuran Kadriu u zëvendësua me Anastasia Trajkovska
Abaz Fetishi u zëvendësua me Rajne Velinovska
Përjashtimi i plotë i përfaqësuesve shqiptarë nga këto komisione tregon jo vetëm një akt të qartë të diskriminimit etnik, por edhe dështimin e përfaqësuesve ilegjitimë shqiptarë në qeveri për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në vend. Kjo është një goditje e rëndë për barazinë dhe përfaqësimin e drejtë të komunitetit tonë në institucionet shtetërore.
BDI do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe ligjore për të sfiduar këtë vendim të padrejtë dhe për të siguruar rikthimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të shqiptarëve, siç parashikohet nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit. Ftojmë në arsye që të ndërpritet urgjentisht kjo praktikë diskriminuese.