Netanyahu paralajmëron rebelët Houthi se do të paguajnë ‘një çmim të rëndë’ për sulmin në qendër të Izraelit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Houthit e Jemenit do të paguajnë një “çmim të rëndë” pasi një raketë e lëshuar nga rebelët goditi Izraelin qendror.
Ushtria izraelite tha se raketa ra në një zonë të pabanuar, por se copëzat tregojnë se sistemet e mbrojtjes ajrore nuk kishin arritur ta shkatërronin atë përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite.
Ajo shtoi se po hetonte se si raketa ishte në gjendje të arrinte deri në territorin izraelit.
Bëhet e ditur se sulmi shënon herën e parë që një raketë e lëshuar nga grupi arrin në Izraelin qendror, i cili është rreth 2,000 kilometra larg nga Jemeni.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kishte pasur përpjekje të përsëritura për të rrëzuar raketën, por që ka shumë të ngjarë të jetë fragmentuar në ajër, shkruan BBC.
Ndërkohë, Houthit pretenduan se operacioni përdori një lloj të ri rakete hipersonike, e cila mund të ndihmojë në shpjegimin e dështimit të përpjekjeve për ta kapur atë.
Houthit në një deklaratë thanë se sulmi u krye në solidaritet me palestinezët dhe se Izraeli duhet të presë më shumë përpara përvjetorit të parë të sulmeve të 7 tetorit.
Siç raportohet, fragmentet ranë në një stacion hekurudhor në qytetin Modiin, duke shkaktuar disa dëme, dhe në terren të hapur pranë aeroportit kryesor ndërkombëtar të Izraelit në periferi të Tel Avivit.
Netanyahu tha se sulmi tregoi se Izraeli është në një “betejë me shumë fronte kundër boshtit të së keqes të Iranit”.
“Kushdo që na sulmon nuk do të shpëtojë nga krahët tanë”, paralajmëroi Netanyahu.
Kjo nuk është hera e parë që rebelët sulmojnë Izraelin.
Në korrik, një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën pasi një dron i Houthive u ul në Tel Aviv.