Rashiq për shëndetësinë dhe arsimin në veri: Duhet të jemi gati për çdo skenar
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, shpreh besimin se institucionet paralele të shëndetësisë dhe arsimit në veri, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shton se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.
“Duhet të planifikohen opsionet, sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë [mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë], por kur do të ndodhë. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, ka thënë Rashiq.
Ai shton se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.
Ministri Rashiq thotë se duhet të gjenden modele që e “inkorporojnë” të gjithë sistemin serb në atë të Kosovës, në mënyrë që të mos dëmtohen as qytetarët, as punonjësit.
Ai nuk mund të thotë se cilat janë ato modele, por thekson se shëndetësia dhe arsimi janë “shtylla të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të serbëve”.
Rashiqi rikujton se Plani i Ahtisaarit – dokument në bazë të të cilit është hartuar Kushtetuta e Kosovës – parashikon formimin e një grupi ekspertësh, që do ta përshtaste kurrikulën për pjesëtarët e komunitetit serb.
Me marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel në vitin 2013, është rënë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, për ngritjen e komunave dhe të institucioneve të tjera sipas sistemit të Kosovës, si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili do të rregullonte funksionimin e disa institucioneve serbe dhe financimin e tyre.
Përkundër kësaj, Kosova nuk e ka formuar Asociacionin dhe Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë institucionet e saj paralele.
Por, nga fillimi i këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë filluar t’i mbyllin institucionet serbe, me arsyetimin se puna e tyre cenon rendin kushtetues të Kosovës.
Këto veprime janë kritikuar nga komuniteti serb dhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thotë se lëvizjet e tilla “të pakoordinuara” mund t’i rrisin tensionet në terren.
Institucionet e Serbisë që janë mbyllur deri më tani, janë: organet e përkohshme komunale në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec, Dragash, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, pastaj Qarku i Kosovës në Mitrovicë, Fondi për sigurim pensional dhe invalidor në Mitrovicë të Veriut, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Posta e Serbisë në veri të Kosovës dhe banka Kursimorja e Postës.
Kosova ka ndaluar edhe përdorimin e dinarit serb – gjë që e ka vështirësuar edhe më shumë financimin e institucioneve që punojnë në Kosovë nën sistemin serb, përfshirë këtu shëndetësinë dhe arsimin. /REL