September 15, 2024

Besa pa eufori, presim edhe një mesfushor

0


Besa e nisi me fitore sezonin 2024-2025 në Kategorinë e Parë, duke shpalosur haptazi ambiciet për rikthim në Superiore pas një dekade mungesë. Për presidentin e skuadrës kavajase, Nexhat Bizhdili, kjo fitore vlejti më pak se sa mesazhi që mori nga publiku dhe skuadra tropojane.

qosja, josa, bizhdili besa

“Valbona debutuese dëshmoi një ‘fair-play’ model që nga pritja që na u rezervua, takimi nga fillimi deri në fund” u shpreh mes të tjerash Bizhdili, i cili përmes intervistës së dhënë për “Panorama Sport” gjen rastin që t’i falënderojë tropojanët për mikpritjen.  Presidenti foli edhe për objektivin e klubit, ku këtë verë janë kryer investime të shumta, që padyshim shkojnë në funksion të arritjes së objektivit madhor. Gjithashtu, “Xhati” siç njohët nga opinioni sportiv, deklaroi se merkato nuk është mbyllur akoma, pasi në Kavajë po presin edhe goditjen e fundit, një mesfushor.

E nisët me fitore sezonin e ri. Sa i kënaqur je me Besën?

Sigurisht, çdo fitore të gëzon, por më besoni se jam surprizuar nga mikpritja, kultura, etika, “fair-play” i lojtarëve të Valbonës, edhe pse Besa dominonte dhe kaloi 2 herë në avantazh. Tropojanët pranuan me sportivitet epërsinë tonë në kualitete dhe lojë, madje na duartrokitën. Ishte mesazhi më i qartë në këtë fillim-sezoni se si duhet të organizohet, menaxhohet një ndeshje futbolli në tribuna e fushë. Ndaj dua t’i falënderoj publikisht.

Keni afruar plot 15 futbollistë. A është e vërtetë që prisni sërish përforcime nga merkato?

Që të pretendosh Superioren duhet të mos të kesh “dhimbje koke” për stolin. Ju kujtohet, sezonin e shkuar, kur në stol kishim lojtarë të rinj të perspektivës. Prandaj afrova thuajse një ekip të tërë bashkë me rezervat, por dëshirojmë të marrim edhe një mesfushor.

Po Dabo do të rikthehet te Besa?

Po, ai është federuar, por për arsye burokratike, letrash, ende nuk ka ardhur. Sigurisht se do jetë pjesë e jona, pasi është një vlerë e shtuar për ekipin.

Kë shihni rivalë për Superiore këtë sezon?

Mesa kam lexuar, parë e dëgjuar, Flamurtari dhe Vora kanë shpallur objektiv Superioren. Të mos harrojmë se ka edhe plot ekipe me përvojë elitare, si Kastrioti, Lushnja, Apolonia e të tjera. Prandaj, mendoj se do jetë një garë e fortë, e bukur dhe me mjaft të papritura.

Ku e shihni Besën tuaj në fund të garës?    

Gjithë ato investime, kushte, afrimi i shumë lojtarëve, ndeshjet në Rrogozhinë, nuk i kam bërë për vendin e 6-të (qesh). Do të jetë sezoni ynë, por trajneri Mirel Josa na e ka bërë të qartë, mua dhe lojtarëve, se nuk do “fluturojmë” meqë kemi ekip super, por të shohim takim pas takimi. E patë çfarë i ndodhi Flamurtarit? Duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë” dhe të vlerësojmë çdo ndeshje, çdo pikë, çdo minutë loje kudo ku do luajmë në Vlorë apo Pogradec, bie fjala.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *