November 24, 2024
osmani-kuvend.webp.webp


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, theksoi se përpjekjet e Serbisë dhe mbështetjeja e saj nga Kremlini vazhdojnë të minojnë stabilitetin e brendshëm dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur, mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm. Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. E po kështu, shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato”.

Ajo theksoi se këto përpjekje për destabilizim janë gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa theksoi përkushtimin e Kosovës për t’i parandaluar ato me çdo mjet të mundshëm.

Presidentja Osmani vuri në dukje ngjarjen tragjike të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku si pasojë e agresionit serb humbën jetën disa qytetarë të Kosovës. Ajo e përshkroi këtë ngjarje si dëshmi të qartë të qëndrimit të Kosovës.

Osmani kritikoi Serbinë për mungesën e llogaridhënies dhe drejtësisë lidhur me këtë ngjarje, duke theksuar se 424 ditë pas ngjarjes, nuk ka asnjë pasojë për agresorët.

“24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të agresionit serb, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe dashakeqëve se Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur dhe se mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”.

Presidentja shprehu gjithashtu shqetësimin për rolin destabilizues të Serbisë në rajon, duke e akuzuar atë se po shërben agjendës së Rusisë për të minuar përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Ajo përmendi format e luftës hibride të përdorura nga Serbia, të cilat mbajnë tensionet të larta dhe dëmtojnë shtetet fqinje.

Osmani siguroi se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj do të vazhdojnë të qëndrojnë të fortë mbi vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë. Ajo tha se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do të vazhdojnë të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke siguruar zbatimin e Kushtetutës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

“Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme, duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”, tha Osmani.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *