Postuar: Shtator 21, 2024 | 14:00
Në javën e pestë të kampionatit, skuadra e Pogradecit do të presë në “Gjorgji Kyçyku”, Erzenin e Shijakut, që është i pozicionuar në vend të fundit të klasifikimit për momentin.
Ndeshja me shijakasit, që do të luhet sot në orën 16:00, e gjen skuadrën pogradecare një moment jo të mirë. Në katër ndeshjet e zhvilluara, Pogradeci ka grumbulluar tri pikë, që përkojnë me fitoren në start ndaj Kastriotit në shifrat 3-1, dhe me golavarazh negativ, 4-6. Fitorja e arritur kundër Kastriotit në javën e parë para sportdashësve të saj, tashmë i përket së shkuarës. Pavarësisht rezultateve jo të mira, formacioni i Nikajt ka zhvilluar lojëra të mira, por fati nuk ka qenë me liqenorët. Goli i pësuar në fundin e takimit kundër Burrelit në javën e fundit, i mohoi skuadrës një pikë, që do të shërbente si kthesë për vijuar me rezultate pozitive.
“Marrja e fitores kundër Erzenit është e vetmja alternativë, jo vetëm për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, por dhe për t’u larguar nga pozicionet që kemi aktualisht në renditje. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe grupi për këtë ndeshje me shijakasit është i plotë. Kjo më bën optimist se skuadra do të shkojë te trepikëshi, që do të shërbente për kthesën e duhur për javët në vazhdim”, tha për “Panorama Sport”, trajneri i liqenorëve, Samuel Nika.
Pas Erzenit, kalendari në vazhdim rezervon ndeshje delikate për pogradecarët. Java e gjashtë i rezervon transfertën e Vorës dhe më pas do të presin Kukësin.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL