Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Zef Morinën në pozitën e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Transportit.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti e uroi z. Morina për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të tij” thuhet në njoftim.
Morina i ka ndjekur studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Teknik, drejtimi Ndërtimtari dhe Arkitekturë, ndërsa studimet postdiplomike i ka kryer në Prishtinë.
Nga viti 2002 deri në vitin 2004 ka shërbyer si Ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës.
Në periudhën 2004–2010 ka qenë deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Që nga viti 2020 e në vazhdim mban funksionin e kryetarit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK)

