AShAK: Kundërshtojmë përpjekjet për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë

February 11, 2026 • arsoadmin


Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK) ka shprehur shqetësimin e thellë mbi propozimin e Zyrës së Prokurorit Special për dënimin e katër figurave udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, ish-President i Republikës së Kosovës; Kadri Veseli, ish-Kryetar i Kuvendit; Jakup Krasniqi, ish-Kryetar i Kuvendit; dhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit.

E kryesia e AShAK, në reagimin dërguar mediave, vlerëson se “ky proces duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të garantojë të drejtat e njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Çdo shmangie nga këto standarde, sipas AShAK-ut, paraqet influencë politike që lëndon legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor.

Tutje, AShAK-u thekson edhe rëndësinë historike dhe morale të luftës çlirimtare të UÇK-së, e thotë se cila u zhvillua për mbrojtjen e popullatës civile dhe çlirimin e Kosovës.

“Kontributi i tyre ka qenë vendimtar në këtë proces historik dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet në kuadër të një procesi që mund të ketë motive politike”, thotë AShAK në këtë reagim.

Kryesia e AShAK-ut tha se kundërshton çdo përpjekje për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë.

Sipas AShAK-ut, lufta e UÇK-së dhe sakrificat e shqiptarëve për lirinë e Kosovës janë pjesë e historisë së dokumentuar dhe nuk mund të mohohen ose të keqinterpretohen për çfarëdo qëllimesh të tjera. “Çdo përpjekje për të stigmatizuar luftën çlirimtare përmes interpretimeve të njëanshme, paraqet një kërcënim ndaj kujtesës historike dhe drejtësisë kolektive të popullit të Kosovës”.

Në këtë reagim, kryesia e AShAK-ut ka propozuar që institucionet e Kosovës të ndërtojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, duke siguruar transparencë, llogaridhënie dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo, sipas AShAK-ut, do të kontribuonte për mbrojtjen e të drejtave të individëve të përfshirë në proces, por edhe për ruajtjen e vlerave historike të luftës së popullit të Kosovës.

“Kryesia e ASHAK-ut vlerëson se kjo qasje është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Akademia mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj për të ndërtuar mekanizma monitorimi dhe analiza shkencore, të cilat do të sigurojnë që çdo proces gjyqësor të zhvillohet me drejtësi, paanshmëri dhe respekt për vlerat historike dhe qytetarinë e vendit”, u tha në reagimin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.



Source link

News Podcast