Shkurte Fejza, Ylli Limani, Mozzik dhe qindra artistë në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë”

February 9, 2026 • arsoadmin


Këngëtarë dhe artistë të njohur nga Kosova kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës që po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor në Hagë.

Përmes video-adresimeve dhe mesazheve publike, Shkurte Fejza, Ylli Limani, Mozzik, Gold AG, Visar Peja, Majkaveli, Mar1n, DJ Dagz, Bllekibllek, Alban Sejdiu, Taulant Bajraliu, Edi Kastrati, Gresa Behluli, Veli Sahiti, si dhe trupa të shumta artistësh nga qytete të ndryshme të Kosovës, u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij marshimi, duke theksuar rëndësinë e unitetit, drejtësisë dhe respektimit të vlerave të luftës çlirimtare, pëtcjell Klankosova.tv.

Mbështetja e artistëve i jep marshit, siç thuhet në njoftimin për media, një dimension të gjerë shoqëror dhe kulturor, duke reflektuar ndjeshmërinë e opinionit publik.

“Marshi, i organizuar nga platforma Liria ka Emër me 17 shkurt, pritet të shndërrohet në mobilizimin më të madh qytetar të mbajtur ndonjëherë në Kosovë, duke bashkuar qytetarë nga të gjitha komunat, diaspora, familje të dëshmorëve, të rinj, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ndërkohë, mbështetjes për marshin “Drejtësi, jo politikë” po i bashkohen edhe kategori të tjera të shoqërisë, duke e shndërruar atë në një kauzë gjithëpërfshirëse qytetare në mbrojtje të drejtësisë dhe së vërtetës historike”, shkruhet në njoftim.






Burimi i lajmit:: Kosovarja-ks.com