‘Ti e puthe kur ika unë?’, Kristi tremb Brikin në sfidën e mosreagimit
1
Një tjetër moment interesant ka ndodhur sot brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania.
Këtë herë nuk bëhet fjalë për një banor të ri, por për një rikthim të papritur dhe mjaft komik në kuadër të lojës. Kristi ka hyrë sërish në shtëpinë më të famshme në Shqipëri si pjesë e “sfidës së reagimeve”, një provë sfiduese ku banorët duhet të injorojnë çdo person apo ngjarje që zhvillohet rreth tyre pa lëvizur asnjë muskul.
Duket se prania e tij nuk ka kaluar pa shkaktuar veprime të pakontrollueshme tek banorët. Ai i është afruar papritur Brikenës, e cila në momentin e parë që e ka vënë re është trembur dukshëm.
Megjithatë, fokusi i vizitës së Kristit nuk ishte thjesht një trembje e vogël në korridorin e shtëpisë. Ai nuk ka ngurruar ta ngacmojë direkt banoren në lidhje me dinamikat e fundit dhe puthjen e saj me Mateon mbrëmjen e kaluar gjatë spektaklit Prime.
Me doza humori, ish-banori i është drejtuar asaj për t’i kujtuar gjithë mundin e tij të shkuar dëm gjatë qëndrimit. “Po mirë moj, unë vuajta kaq shumë që të bashkoj ty me të, ti e puthe kur ika unë?”, dëgjohet t’i thotë Kristi duke qeshur. Nga ana tjetër, Brikena, e cila është e detyruar nga rregullat e Vëllait të Madh që të mos ketë asnjë reagim, e ka pasur mjaft të vështirë të rezistojë. Pavarësisht përpjekjes maksimale për të ruajtur seriozitetin, ajo shihet qartë teksa nuk e fsheh dot buzëqeshjen në fytyrë pas batutës së tij.