Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se trashëgimia politike e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vazhdon të mbetet themel i kulturës politike dhe i orientimit shtetëror të vendit, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarime Osmani i bëri në Akademinë Përkujtimore, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Osmani tha se përkujtimi i Rugovës nuk është vetëm shënim i një date, por rikthim te një epokë që e ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Sot, 20 vjet pas ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova, jemi bashkuar për të kujtuar dhe nderuar figurën e tij dhe për ta shënuar momentin kur ideja e tij u bë edhe kulturë politike, ku rezistenca u bë etikë dhe kur politika u ngrit në nivel të misionit historik. Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por për një epokë që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë tonë. Askush nuk e mishëroi më thellë e më mirë shprehjen ‘Unë biri yt, Kosovë’, se sa presidenti Rugova. Ai ishte biri i saj në bindje, përkushtim dhe në sakrificë, i lidhur me fijet e tij me popullin dhe vlerat e saj, duke ia kushtuar gjithë jetën, çdo qelizë të tij ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës”, tha ajo.
Presidentja Osmani theksoi se filozofia politike e Rugovës përfaqëson një koncept të thellë human dhe demokratik, i cili vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe sot.
“Trinomi i presidentit Rugova: liri, pavarësi dhe demokraci, është manifest politik dhe njëkohësisht koncept i thellë filozofik e human. Për Rugovën, liria nuk ishte thjesht mungesë e kufizimeve, por po ashtu aftësi e popullit për të vendosur për fatin e vet dhe orientimin e vet. Pavarësia nuk ishte thjesht një akt politik, por realizim i një të drejte historike. Ndërkaq, demokracia nuk ishte thjesht një instrument pushteti, por mekanizëm dialogu e i realizimit të të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë pa dallim”, tha ajo.

You may also like
-
Kryeministri Kurti u takua me Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden
-
Osmani pas homazheve te varri i Rugovës: Mbetet simbol i paqes dhe i lirisë
-
Basha: Meritë e jashtëzakonshme i takon Presidentit Rugova edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare
-
6.5 milionë u shpenzuan nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe vizitat familjare në vitin 2025
-
KQZ: Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 7 komuna
