Osmani flet për ftesën e Trump në Bordin e Paqes, thotë se nuk përfshinë detyrime financiare


Zhvillim të një rëndësie historike për Kosovën e ka quajtur presidentja Vjosa Osmani, ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes për Gazën.

Osmani tha se Kosova ka marrë ftesën si anëtare themeluese dhe se e njëjta do të ofrojë përvojën e vet në shtetndërtim.

Ajo tha se përfshirja e Kosovës në këtë organizatë multilaterale të udhëhequr nga SHBA-ja e fuqizon Kosovën në aspektin ndërkombëtar.

“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Republikën e Kosovës. Në radhë të parë se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë se kjo organizatë themelohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati ynë strategjik dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA-ja ka përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim. Në ndërtim të paqes, në ndërtim aleancash, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vende të tjera të botës… Me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump. E falënderoj për vlerësimin, besimin dhe gatishmërinë, siç e thekson në letër, që të punojmë edhe për një kohë të gjatë për realizimin e misionit për paqe dhe siguri në botë. Ne si Kosovë, sado që jemi shtet i vogël, mund të kemi kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”, tha ajo.

E para e vendit tha se në ftesën që ka pranuar dhe dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese, por u lihet shteteve anëtare që ta bëjnë këtë në mënyrë vullnetare.

“Edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet ndonjë çështje pagese, por u lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Megjithatë, për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA-në. Kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës tonë për ndërtimin e paqes. Kosova është një ndër sukseset më të mëdha amerikane. Një prej sukseseve më të mëdha të aleancës euroatlantike në ndërtimin e paqes. Kemi çfarë të ofrojmë në aspektin e përvojës, perspektivës dhe vizionit për një iniciativë të tillë. Është me rëndësi që Kosova do të jetë e barabartë dhe është ftuar nga themeluesja dhe udhëheqësja e kësaj organizate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një arritje e fuqizimit tonë ndërkombëtar dhe e aleancës me SHBA-në”,shtoi ajo.

Këto komente Osmani i bëri pas akademisë përkujtimore në shënim të 20-vjetorit të vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar, i parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor 2025, që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të Gazës dhe rindërtimin e institucioneve civile.

Krahas Kosovës, ftesë ka marrë edhe Shqipëria.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Categories