Mungesa e barnave nga lista esenciale, SHSKUK-ja ndan mbi 2 milionë euro për furnizim
4
Teksa pacientët që trajtohen në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave nga lista esenciale, duke u detyruar t’i blejnë ato me shpenzimet e tyre, shpesh me çmime të larta e të papërballueshme, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka përmbyllur procedurën “Furnizim me barna nga lista wsenciale (LE) për nevojat e SHSKUK-së”.
Sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit elektronik, vlera e parashikuar e kontratës është 2,182,952.06 euro. Bëhet fjalë për një kontratë furnizimi, e zhvilluar përmes procedurës së hapur, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ka qenë 18 qershori 2026. Njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar më 1 korrik 2026.
Ky furnizim synon të sigurojë barna nga lista esenciale për nevojat e institucioneve që funksionojnë në kuadër të SHSKUK-së.
Sipas vendimit për dhënien e kontratës, pjesa më e madhe e tenderit i është dhënë kompanisë DELTAPHARMA-KS, e cila ka fituar dy lote me vlerë totale prej 1,238,846.40 euro. Ndërkaq, kompania MEDITECH është shpallur fituese e dy loteve me vlerë prej 596,372.47 euro, ndërsa Dreni Pharm ka fituar një lot në vlerë prej 54,100.02 euro. Tenderi ishte hapur për furnizimin me barna nga Lista Esenciale për nevojat e SHSKUK-së, me vlerë të parashikuar prej 2,182,952.06 euro.
Megjithatë, jo të gjitha lotet janë kontraktuar. SHSKUK-ja ka anuluar Lotin 1, pasi nuk është pranuar asnjë ofertë, ndërsa lotet 3, 6, 7 dhe 8 janë anuluar, pasi ofertat e pranuara e tejkalonin në mënyrë substanciale vlerën e parashikuar.
Mungesa e barnave në klinikat e QKUK-së ka qenë prej kohësh një nga ankesat kryesore të pacientëve. Për shumë prej tyre, kjo nënkupton shpenzime shtesë për blerjen e terapive në barnatore private, edhe pse barnat e listës esenciale duhet të sigurohen nga institucionet publike shëndetësore.
Ky tender pritet të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me barna, ndërsa mbetet të shihet nëse kontratat e nënshkruara do të reflektohen shpejt në furnizimin e klinikave dhe në lehtësimin e barrës financiare për pacientët./