Valon Maloku propozon Besim Dinën për President: “Pse jo?”
20
Kosova ka ardhur në një moment kur për postin e Presidentit ndoshta duhet të mendojmë pak më ndryshe. Jo domosdoshmërisht të kërkojmë një emër që vjen nga partia më e fuqishme, por një figurë që mund të jetë e pranueshme për një pjesë më të gjerë të shoqërisë.
Një prej emrave që po hidhet në diskutim është ai i aktorit, humoristit dhe moderatorit të njohur, Besim Dina.
Sipas Valon Malokut, Dina mund të ishte një figurë konsensuale pikërisht sepse nuk vjen nga betejat e përditshme partiake dhe nuk identifikohet me ndonjë kamp politik. Për më shumë se tri dekada, ai ka ndërtuar një karrierë në art, televizion dhe humor, ndërsa prej vitit 2008 udhëheq emisionin “Oxygen Show”.
“Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë president i një partie. Duhet të jetë president i vendit”, shkruan Maloku.
Sipas tij, një figurë e tillë do të mund të shihej si alternativë ndaj përplasjeve tradicionale politike, pasi nuk do të përfaqësonte fitoren e njërës parti apo humbjen e tjetrës.
Maloku vlerëson edhe aftësinë e Dinës për komunikim me publikun, duke e parë këtë si një përparësi për një pozitë që kërkon përfaqësim dinjitoz të shtetit dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Megjithatë, ai thekson se të qenit figurë publike nuk mjafton për të qenë President. Një kandidat duhet të dëshmojë njohuri për Kushtetutën, institucionet, politikën e jashtme dhe përgjegjësinë që bart ky post.
Në fund, pyetja që shtrohet është nëse Kosova mund të gjejë një personalitet jashtë llogoreve partiake, rreth të cilit mund të arrihet një kompromis më i gjerë politik.
“Nuk po them se Besim Dina është kandidati i vetëm. Por Besim Dina mund të jetë një prej atyre emrave rreth të cilëve ia vlen të ulemi e të flasim pa paragjykime”, përfundon Maloku.