Eurovision ndryshon rregullat/ Këto shtete mund të fitojnë konkursin por s’do mund të presin në shtëpi edicionin e ardhshëm
1
Eurovision nuk do të organizohet më automatikisht nga vendi që fiton konkursin. Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka ndryshuar rregullat e garës, duke parashikuar që shteti fitues mund të humbasë të drejtën e organizimit nëse ndodhet në një konflikt të armatosur ose në një situatë të ndjeshme gjeopolitike që mund të ndikojë sigurinë dhe zhvillimin e eventit.
Ndryshimi është bërë pjesë e rregullores së re pas rishikimit vjetor të konkursit dhe prek një nga traditat kryesore të Eurovisionit: organizimin e edicionit pasardhës nga vendi fitues.
Sipas rregullave të reja, transmetuesi i shtetit fitues mund të shpallet i papërshtatshëm për organizimin e Eurovisionit nëse një konflikt, situatë gjeopolitike apo rrethana të tjera krijojnë rrezik për sigurinë, stabilitetin ose mbarëvajtjen e aktivitetit në vend apo në rajonin përreth.
Në rast se vendi fitues nuk konsiderohet i përshtatshëm, EBU mund t’ia japë organizimin një transmetuesi tjetër. Ky i fundit merr përsipër të drejtat dhe përgjegjësitë për zhvillimin e konkursit.
Nga Ukraina te rregullat e reja
Vendimi vjen pas rasteve të mëparshme kur Eurovision është zhvilluar jashtë vendit fitues. Në vitin 2023, konkursi u mbajt në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse Ukraina kishte fituar një vit më parë. Lufta me Rusinë e bëri të pamundur organizimin e eventit në Ukrainë dhe përgatitjet kaluan te transmetuesi britanik.
Edicioni i këtij viti u shoqërua gjithashtu me debate për pjesëmarrjen e Izraelit. Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia u tërhoqën nga gara pas konfirmimit të pjesëmarrjes së Izraelit, në sfondin e luftës në Gaza. Izraeli u rendit i dyti në finale, një rezultat i njëjtë me atë të vitit 2025.
EBU e lidh ndryshimin e rregullave me nevojën për më shumë qartësi dhe siguri për artistët, delegacionet dhe ekipet organizative. Rregullorja parashikon edhe një vlerësim të pavarur të sigurisë në rastet kur nuk ka luftë, por ekzistojnë rrethana që mund të ndikojnë në organizimin e eventit.
Ndryshimi e shkëput për herë të parë në mënyrë të qartë fitoren nga e drejta automatike për të organizuar Eurovisionin. Në këtë mënyrë, siguria dhe kushtet në vendin fitues do të kenë peshë në vendimin për qytetin dhe shtetin pritës të edicionit të ardhshëm.