Milioneri që shpenzon 2 milionë dollarë në vit për të luftuar plakjen diagnostikohet me sëmundje të rrallë
4
Bryan Johnson, sipërmarrësi amerikan i teknologjisë i njohur për regjimin e tij ekstrem kundër plakjes, ka zbuluar se vuan nga gastriti autoimun (Autoimmune Gastritis – AIG), një sëmundje kronike ku sistemi imunitar sulmon qelizat e stomakut.
48-vjeçari, i cili shpenzon rreth 2 milionë dollarë në vit për programin e tij të jetëgjatësisë, e bëri të ditur diagnozën përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shkruar: “Stomaku im po ha veten”.
Johnson tregoi se diagnoza u konfirmua pas një serie analizash të detajuara, përfshirë teste gjaku, endoskopi dhe biopsi të stomakut. Ai tha se për më shumë se një dekadë kishte pasur nivele të ulëta të ferritinës, por pa një shpjegim të qartë për shkakun.
Sipas tij, ekzaminimet e fundit zbuluan se pas këtyre problemeve qëndronte gastriti autoimun, një gjendje që dëmton shtresën mbrojtëse të stomakut dhe mund të ndikojë në përthithjen e vitaminës B12, hekurit dhe lëndëve të tjera ushqyese.
Kjo sëmundje kronike nuk ka aktualisht një kurë përfundimtare, por trajtimi përqendrohet në menaxhimin e simptomave, korrigjimin e mungesave ushqyese dhe monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes së pacientit.
Ekspertët paralajmërojnë se gastriti autoimun mund të lidhet edhe me rritjen e rrezikut për disa komplikacione shëndetësore, përfshirë probleme të tjera të stomakut.
Sekreti për flokë, lëkurë dhe thonj më të shëndetshëm mund të jetë në pjatën tuaj: Ja 8 ushqime që bëjnë diferencën!
Pavarësisht diagnozës, Bryan Johnson ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga misioni i tij për të ngadalësuar procesin e plakjes. Ai tha se do të vazhdojë të dokumentojë publikisht përpjekjet e tij për të kuptuar trupin e njeriut dhe për të kërkuar mënyra të reja për përmirësimin e shëndetit dhe jetëgjatësisë.
Johnson është bërë një nga figurat më të njohura të lëvizjes së “jetëgjatësisë”, duke investuar miliona dollarë në analiza mjekësore, dieta të kontrolluara dhe procedura të ndryshme me synimin për të ruajtur një trup sa më të ri.