‘Më mirë vetëm se me njeriun e gabuar’, Juli u përgjigjet kritikave për IVF
11
Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Juliana Nura, ka reaguar ashpër për herë të parë pas valës së kritikave që mori në rrjet.
Shkak për këtë u bë vendimi i saj publik për t’iu nënshtruar procedurës IVF (fertilizim in vitro) me qëllim që të bëhet një nënë e vetme.
Në një promoncim të dhënë sot për Kosova Live në T7, ajo ka sqaruar pozicionin e saj duke iu përgjigjur të gjithë skeptikëve.
Juli ka theksuar se lumturia e një fëmije nuk varet nga klishe shoqërore, por nga gjendja e prindit që e rrit.
“Një fëmijë i lumtur është kur është një nënë e lumtur, që ia jep të gjitha gjërat për të cilat ka nevojë”, ka thënë ajo.
Edhe pse e pranon që figura e babait është e rëndësishme, Juli shtoi se në të ardhmen mund të vijë dikush në jetën e saj që bëhet një prind më i mirë për fëmijën sesa ndoshta ai biologjik.
Më tej, ajo u shpreh se ka raste të shumta kur prindërit biologjikë dështojnë në misionin e tyre.
“Kemi raste të ndryshme kur prindi biologjik nuk është i mirë. Kemi statistika që tregojnë se shpeshherë është më mirë vetëm, sesa me raste të gabuara”, u shpreh ajo, duke mbrojtur zgjedhjen e saj të vetëdijshme për të mos pritur partnerin e duhur vetëm për të plotësuar normat.
Sa i përket komenteve ku e akuzonin për “egoizëm”, Juli nuk i ka kursyer fjalët e ashpra duke bërë një dallim të prerë.
“Egoizëm është kur e lë fëmijën në bërllok, në spital apo në jetimore, e jo kur lufton për të qenë një nënë adekuate”, deklaroi ajo prerë, duke i konsideruar sulmet ndaj saj si të pabaza.
Me këtë deklaratë,ajo u është përgjigjur drejtpërdrejt edhe disa personazheve të njohura publike që reaguan hapur kundër vendimit të saj ditët e fundit, si Xheneta Fetahu dhe Valdrina. Përkundër mendimeve të tyre, Juli tregoi se është më se e vendosur për të ndjekur ëndrrën e saj të madhe për t’u bërë nënë.