Në moshën 53-vjeçare, aktorja e njohur bëhet nënë për herë të tretë
3
Aktorja e famshme e Hollywood-it, Cameron Diaz dhe bashkëshorti i saj, rock-stari Benji Madden, kanë befasuar duke njoftuar lindjen e fëmijës së tyre të tretë. Lajmi u bë i ditur këtë të hënë përmes një postimi emocional në Instagram nga kitaristi i grupit “Good Charlotte”, i cili ndau gëzimin e madh me ndjekësit e tij.
“Cameron dhe unë jemi të lumtur, të emocionuar dhe ndihemi shumë të bekuar të njoftojmë lindjen e djalit tonë, Nautas Madden,” shkroi Benji. Ai shtoi se familja e tyre po e shijon në maksimum këtë periudhë dhe se fëmijët janë të shëndetshëm e të lumtur. Edhe pse nuk ndau një foto të të porsalindurit, ai postoi imazhin e një anijeje që shpjegonte kuptimin e emrit Nautas: “Detar, lundrues, udhëtar. Ai që niset në një udhëtim dhe nuk i frikësohet të panjohurës.”
Çifti, i cili lidhi kurorë në vitin 2015, ka tashmë një familje të konsoliduar me tre fëmijë. Ata janë prindër të vajzës Raddix, e lindur në dhjetor të vitit 2019, dhe djalit Cardinal, i cili erdhi në jetë në mars të vitit 2024. Cameron dhe Benji njihen për privatësinë e tyre të rreptë, duke zgjedhur t’i rrisin fëmijët larg vëmendjes së tepërt mediatike.
Ky lajm i bukur vjen në një moment të rëndësishëm për karrierën e yllit të “The Mask”. Pas një shkëputjeje prej gati 10 vitesh nga aktrimi për t’iu dedikuar familjes, Diaz është rikthyer së fundmi në sheshxhirim. Ajo po punon për komedinë e re “Outcome”, ku luan përkrah aktorit Keanu Reeves, duke vërtetuar se mund të menaxhojë me sukses si rikthimin në ekran, ashtu edhe sfidat e bukura të amësisë.