Nuk di të vdes, do mësoj të jetoj nga e para
5
“Mua muaji dhjetor më shkoi mirë dhe u mbyll shumë keq. Po ju dëgjoja në fakt dhe është siç është jeta, dikush ka lajme të mira, dikush ka lajme të këqija. Mua nuk më është mbyllur mirë 2025-a, natyrisht që s’është e mirë as 2026-a. Kam humbur gjysmën time. Janë ato dhuratat e hidhura që bën Zoti.
Për momentin jetoj në dy dimensione, uroj që kjo të mos ndikojë në punë. Është dita ime e parë e punës, dalja ime e parë mediatike dhe s’mund të ishte në vend tjetër veçse këtu. Edhe pse e kam thënë me dy mendje “po”-në, kur erdha dhe u takuam jam shumë dakord me veten që të jem këtu dhe vetëm këtu mund ta filloja, në vazhdimin e këtij emisioni.
Nuk është mirë të flasësh për të tilla gjëra, se janë delikate, por edhe për elefantin në dhomë nuk mund të rrimë pa folur. Sepse kjo humbje e gjysmës time më të mirë më ka sjellë shumë bekime, sepse kam parë shumë dashuri nga njerëz që nuk i njoh, dhe nga njerëz që i njoh. Vëllai im është përcjellë si mbret.
E qoftë edhe për t’u thënë faleminderit atyre që më kanë shkruar, që na kanë shkruar, që janë përpjekur të na mbështesin në të gjitha format, edhe në rrugë, në sytë e atyre njerëzve që kanë pasur frikë, ndrojë më saktë, për hir të tyre, unë duhet ta shfrytëzoj këtë moment për të thënë faleminderit. Edhe sepse e di që aty ka edhe shumë njerëz të tjerë që kalojnë situata të rënda. Kur them situata të rënda, kalojnë dhimbje të mëdha, nga ato që nuk vijnë nga shoqëria njerëzore, por vijnë nga një forcë madhore që ne e dimë që ekziston. E dimë që është një fund, por s’jemi asnjëherë gati dhe po përjetojnë dhimbje. Dhe me sa duket, kuptimi i vërtetë i dhimbjes është vetëm në të tilla momente. Të tjerat janë, sinqerisht, kalimtare.
Ky është një moment ku ke një ndjesi që është ekstremi i asaj tjetrës, por me dhimbjen ti nuk bën dot as hile, as e fsheh dot, as kompromise. Dhimbja s’ka as etikë, as moral, s’ka as fjalor dhe unë kam zbuluar që as fjalët nuk janë të duhura, të mjaftueshme as për ta shprehur, por as edhe për t’u mbështetur.
Është një ndjesi që të bën të shkosh shumë drejt të vërtetës, por në shumë raste, si edhe në rastin tim, të humbasin shumë vlera. Doja të thosha prioritete, për të mos thënë që ekzistenca e jetës ka pikëpyetje të mëdha, ka shumë zemërim. Unë kam vendosur ta lë dhimbjen të bëjë ç’të dojë me mua; nuk dua as ta luftoj, as ta fsheh, as ta kundërshtoj, as ta shpërndaj, më përket mua. Jam dorëzuar. Besoj se është një nga ato gjendje të cilave duhet t’i dorëzohesh.
Nuk di të vdes, t’i shkoj pranë vëllait e do mësoj të jetoj nga e para. Për mua po fillon jeta nga e para, do ta zbuloj ndryshe. Kam dëgjuar për herë të parë zërin tim. Është një zë gjysmë fëmije dhe gjysmë i ngjan timbrit të zërit të nënës time.
Vëllai im i ka falur kujtdo që e ka takuar në jetë një çast gëzimi, një minutë, një orë, një vit gëzimi, dhe këtë e kam zbuluar më shumë tani mbrapa. Mendoni ç’më ka falur mua që e kam jetuar 54 vjet, çdo ditë të jetës time, nga çdo banalitet i ditës deri tek ëndrrat tona. Por ai ka bërë çdo njeri të buzëqeshë. Dhimbja ime më përket mua, vuajtja, vaji, çfarëdo, por unë po i premtoj vetes edhe po përpiqem që sa herë të përmendet emri Enea Andrea, unë do të përpiqem që të sjell një buzëqeshje te kushdo.
Unë falenderoj Zotin që ma la 54 vjet një qenie të mrekullueshme afër vetes. Dhimbja është e imja, por Enea Andrea do të sjellë gjithmonë buzëqeshje dhe do t’i lutesha kujtdo, më së pari vetes time, që të mbetet e tillë. E besoj se dhuratat më të bukura që njerëzit lënë pas është kujtimi i emocionit që ndajnë. Të gjitha shprehjet “Bëhu e fortë”, “Jeta vazhdon”, nuk bëjnë asnjë punë; kush e ndjen këtë gjë e di, por është një situatë që do ta kapërcejë njeriu vetë me veten.
Do të përpiqem që intimitetin e kësaj ndjenje ta mbaj për vete, të mos ndikojë as në punë, as në marrëdhënie dhe mbi të gjitha mbi mirësinë që ka dhuruar ai. Do të përpiqem shumë që emri i tij të sjellë, si gjithmonë kur ishte gjallë, buzëqeshje. Pastaj, ç’do bëjë dhimbja me mua është puna e saj, por nuk ka asnjë të drejtë të trishtojë të tjerët.”

