Kuvendi voton marrëveshjet ndërkombëtare, Kosova përfiton 882 milionë euro
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Planin e Rritjes, duke i hapur rrugë zhbllokimit të fondeve të rëndësishme nga Bashkimi Evropian. Projektligji mori 104 vota pro, pa asnjë kundër dhe me 6 abstenime.
Para deputetëve, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se përmes këtij mekanizmi Kosova pritet të përfitojë rreth 882.6 milionë euro, ose afërsisht 8% të BPV-së — një nga përqindjet më të larta në rajon. Sipas tij, një e treta e shumës do të jepet si grant, ndërsa pjesa tjetër si kredi me kushte të favorshme. Në kuadër të paketës do të ratifikohen dy marrëveshje kryesore, ndërsa marrëveshja për kredinë do të shqyrtohet veçmas.
Plani i Rritjes për periudhën 2024–2027 është program i BE-së në vlerë totale 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në reforma ekonomike, digjitalizim, energji dhe sundim të ligjit. Kosova ishte e fundit në rajon që e miratoi këtë plan./

