Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale prej 45 vjetësh ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si akt politik që synon, sipas saj, përmbysjen e së vërtetës historike dhe kriminalizimin e luftës çlirimtare.
Në reagimin e saj, LVV thekson se Serbia e regjimit të Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa UÇK-ja ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale, duke mbrojtur popullin shqiptar. Sipas LVV-së, procesi gjyqësor nuk po trajton individë të shkëputur nga konteksti, por po tenton të gjykojë vetë aktin e çlirimit, duke e zhvendosur vëmendjen nga agresori te viktima.
LVV vlerëson se pretendimet për një fushëveprim të organizuar kriminal të UÇK-së janë, siç thuhet, një “operacion diskursiv” që synon të shkëpusë dhunën nga konteksti i okupimit dhe ta paraqesë rezistencën si projekt kriminal. Në reagim theksohet se krimet kundër njerëzimit, sipas së drejtës penale ndërkombëtare, lidhen me aparate shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat, sipas LVV-së, UÇK-ja nuk i ka pasur kurrë.
Duke iu referuar historisë së drejtësisë ndërkombëtare dhe gjykimeve për krime kundër njerëzimit, LVV thekson se këto standarde janë aplikuar ndaj udhëheqësve të aparateve shtetërore gjenocidale dhe jo ndaj lëvizjeve çlirimtare. Sipas saj, barazimi i UÇK-së me struktura të tilla përbën shtrembërim të historisë dhe prodhon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale që nga fillimi, duke vlerësuar se ajo është ndërtuar mbi presione politike dhe interesa gjeopolitike, dhe se drejtësia selektive nuk shërben për shërimin e plagëve, por për thellimin e tyre.
Në përfundim, LVV deklaron se çlirimi nuk është krim dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes aktakuzave që, sipas saj, i shërbejnë narrativës së agresorit.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
9 shkurt 2026


