Peleshi: Anëtarësimi i Kosovës në NATO vendimtar për sigurinë e Ballkanit

February 5, 2026 • arsoadmin


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka paralajmëruar për rreziqet e vazhdueshme ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është element thelbësor për stabilitetin e rajonit.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin për Sigurinë, të mbajtur në Kongresin Amerikan, Peleshi e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një rajon të ndjeshëm ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të aktorëve të jashtëm.
“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm në aspektin gjeopolitik, i ekspozuar ndaj përpjekjeve të huaja për të minuar stabilitetin, për të dobësuar institucionet demokratike dhe për të shkatërruar besimin te rruga Euro-Atlantike. Ky realitet kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh ai.

Duke folur për përgjegjësinë kolektive në fushën e sigurisë, Peleshi iu referua vendimit të Samitit të NATO-s në Hagë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, duke nënvizuar se Shqipëria tashmë po ndjek këtë kurs.

“Siguria ka kosto dhe përgjegjësia duhet ndarë”, deklaroi kryeparlamentari, duke shtuar se “këtë vit ne po investojmë 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, me një trajektore të qëndrueshme në rritje në vitet e ardhshme, për të përmbushur udhëzimet e dakordësuara”.

Në forum, ku ishin të pranishëm senatorë dhe kongresmenë amerikanë, si dhe përfaqësues të lartë të sigurisë dhe ushtrisë së SHBA-së, Peleshi theksoi se marrëdhëniet Shqipëri–Shtetet e Bashkuara mbeten strategjike dhe afatgjata.

Ai nënvizoi se ky partneritet mbështetet në vlera të përbashkëta si demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut.



Source link