Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë një datë të saktë se kur ky institucion do të thërrasë mbledhjen e radhës për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur, më 28 dhjetor 2025.
Zëëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonlinen se procesi zgjedhore ndodhet në fazën e ankesave dhe se ky institucion duhet të presë përfundimin e tyre.
“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura, më 28 dhjetor 2025”, tha Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit, janë mbajtur para 40 ditësh.

