Kurti shpjegon: Si u bashkua politika me pushkën për lirinë e Kosovës

January 31, 2026 • arsoadmin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Llap, më 31 janar 2026, në homazhe dhe akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 29-vjetorin e rënies së tyre.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se tash e 29 vjet, dita e fundit e janarit është e rezervuar për përkujtimin e Zahir Pajazitit me shokë, duke e cilësuar këtë traditë si tashmë të institucionalizuar dhe me rëndësi të veçantë për kujtesën kolektive të Kosovës.

Ai theksoi se këtë vit përkujtimi po mbahet në Podujevë, ndërsa vitin e ardhshëm, në përvjetorin jubilar të 30-vjetorit, dëshmorët do të nderohen në Prishtinë, nën patronatin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës.

Kurti rikujtoi se më 31 janar 1997 ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, duke nënvizuar se ata përfaqësojnë një brez të tërë që i dha kuptim përpjekjes politike dhe asaj të armatosur për çlirimin e Kosovës.

Sipas tij, gjatë gjithë shekullit XX shqiptarët kanë ndjekur dy rrugë për liri: angazhimin politik dhe kryengritjen e armatosur, rrugë që u kurorëzuan me luftën çlirimtare të UÇK-së.

Kryeministri vuri theks të veçantë në rolin e Zonës së Llapit, e cila, sipas tij, i dha Kosovës një nga grupet më të organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – grupin e Zahir Pajazitit me shokë – që më pas u shndërrua në Zonën Operative të Llapit.

Ai përmendi edhe kontributin e shumë bashkëluftëtarëve, duke theksuar se sot obligimi për ta rrëfyer historinë e luftës dhe të sakrificës për liri u takon edhe atyre që mbijetuan.

Në fund, Kurti tha se kultivimi i traditës së përkujtimit të dëshmorëve është kyç për të kuptuar rrugën e shtetit dhe të ardhmen e brezave, duke përmbyllur fjalimin me thirrjen:

“Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, si dhe lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.”/Telegrafi/



Source link