MUJI Cup KF Dardania 2026 u përmbyll me sukses të plotë në Sankt Gallen, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga turnetë më të mëdha të futbollit të vogël në Evropë.
Pas ndeshjeve të forta dhe rivalitetit të lartë, vendi i parë i takoi ekipit Holzenkonzept & Dori Pharm, të cilët u shpallën kampionë të edicionit 2026. Vendi i dytë u rendit ekipi GoodVibes Barbershop, ndërsa vendin e tretë e fitoi Meggenhaus Automobile.
Përveç çmimeve ekipore, u ndanë edhe çmime individuale. Lojtari më i mirë i turneut u shpall Drilon Maxharaj, ndërsa çmimi për portierin më të mirë i takoi Albi Sherifi, nga KF Besa Bujanoc.
Turneu dyditor, i zhvilluar më 24 dhe 25 janar 2026, mblodhi 64 ekipe nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë, Holandën, Finlandën, Kosovën dhe shumë shtete të tjera, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme sportive dhe kulturore.
Gjatë dy ditëve të turneut, publiku pati mundësinë të shijojë futboll të shpejtë dhe teknik, organizim profesional, si dhe program argëtues, ushqime tradicionale dhe elemente kulturore shqiptare, me prani të mediave ndërkombëtare.
MUJI Cup KF Dardania edhe këtë vit dëshmoi se është më shumë se një turne sportiv, duke shërbyer si një platformë që bashkon rininë shqiptare në diasporë dhe promovon sportin, kulturën dhe frymën e komunitetit.
Fituesit e turneut:
Vendi i parë: Holzenkonzept & Dori Pharm
Vendi i dytë: GoodVibes Barbershop
Vendi i tretë: Meggenhaus Automobile
Lojtari më i mirë u shpall Drilon Maxharaj
Portieri më i mirë shpall Albi Sherifi nga KF Besa Bujanoc





