Vllaznia, më e fortë se ky Partizan. Pres ndeshje me gola në Shkodër (E PLOTË)


Erald Çinari po kalon një moment të artë forme në Ligën e Parë të futbollit në Arabinë Saudite, ku sulmuesi shkodran shënoi sërish së fundmi në fitoren 4-1 të skuadrës së tij Al Jabalain përballë Al Batin.cinariPikërisht për këtë formë dhe përshtatjen me futbollin arab, 29-vjeçari ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Duke treguar vështirësitë e fillimit dhe ndryshimet me futbollin europian. Ndër të tjera mëngjërashi ndalet edhe tek Superiorja e në veçanti Vllaznia, ku thekson se kuqeblutë janë ekipi më i mirë momentalisht në Superiore. Dhe se ky mund të jetë viti i duhur për të rikthyer titullin në Shkodër, e ndërsa ndan një mendim edhe për duelin e fundjavës mes kuqebluve dhe Partizanit.

Çinari, sërish gol me skuadrën tuaj, Al Jabalain, mund të themi tashmë se jeni përshtatur 100% me futbollin në Arabinë Saudite apo jo?

Po, tashmë jam përshtatur totalisht me ligën dhe kushtet atmosferike këtu, që ndryshojnë disi nga Europa. Jam duke kaluar një moment të mirë, ku jo vetëm golat, por edhe loja ka qenë në sinkron me ekipin tim. Ku në periudhën e fundit kemi 4 fitore radhazi dhe jemi afruar shumë me kreun, prandaj jam shumë i lumtur që golat dhe paraqitjet personale kanë ndihmuar shumë skuadrën. Ndryshe nuk do kishin aq shumë vlerë nëse nuk do merreshin pikët dhe ekipi të luftojë për ngjitjen në elitën e futbollit arab.

 

Cilat janë ambiciet e ekipit ku militoni këtë edicion?

Aktualisht Al Jabalain është në vendin e katërt, me vetëm 3 pikë larg vendit të dytë që të ngjit menjëherë në Superioren e Arabisë Saudite. Skuadra i ka qëllimet e qarta dhe ajo është ngjitja në ligë në fund të sezonit. Duam të luftojmë fort për dy vendet e para në klasifikim, që të ngjisin direkt. Por, patjetër është edhe zona “play off” më pas ku janë skuadrat nga vendi i tretë në të gjashtin. Ekipi ka cilësi dhe duket se tashmë kemi gjetur gjuhën e përbashkët në fushë, që besoj se do na lehtësojë gjithçka në ndeshjet e së ardhmes.

Ka ndryshime me kampionatet në Europë ku keni luajtur në të shkuarën?

Po, ka ndryshime sepse në Europë luhet shumë taktikisht, të cilës i kushtohet vëmendje e jashtëzakonshme. Por, edhe në Arabinë Saudite po futet kjo mendësi nga ana e trajnerëve, ku mjafton të shikosh Superioren, që ka ndryshuar fytyrë krahasuar me 4-5 vite më përpara.

Kjo si shkak i ardhjes së futbollistëve dhe trajnerëve të huaj. Këtë shembull po ndjek edhe Liga e Parë në të cilën unë luaj aktualisht, ku edhe skuadra ime ka trajner portugez. Të cilët sjellin eksperiencat e tyre dhe po rrisin nivelin e futbollit në Arabinë Saudite. Ju garantoj se liga ku militoj është shumë e fortë dhe mjaft konkuruese, me trajnerë e futbollistë që kanë qenë pjesë e futbollit të elitës në Francë, Spanjë, Portugali, Holandë apo edhe Belgjikë e Gjermani.

Kalojmë pak te Superiorjaa, si e keni shikuar kampionatin shqiptar deri në këtë pikë të sezonit?

Kam parë shumicën e ndeshjeve dhe mund të them si zakonisht në këto vitet e fundit, Superiorja karakterizohet nga një barazi vlerash. Me këtë them se s’ka aq shumë diferenca mes ekipeve, ndoshta skuadrat e kreut kanë cilësi me shumë, por asnjëherë s’mund të themi se kanë një fitore të sigurt qoftë edhe me vendin e fundit në kampionat. Deri në fund parashikoj garë të egër në çdo front dhe besoj se do kemi ndeshje të cilat mund t’i shijojmë deri në përfundimin e edicionit.

Vllaznia në veçanti, si duket në syrin tënd?

Vllaznia për mendimin tim është ndoshta skuadra më cilësore këtë edicion në Superiore të Shqipërisë. Ka pasur uljet dhe ngritjet e saja, por besoj të kuptueshme gjatë një sezoni, pasi çdo skuadër kalon momente të tilla. Tashmë me startin e vitit 2026 i shoh që kanë “mësuar” nga gabimet e fazës së dytë dhe po bëjnë paraqitje me të vërtetë dinjitoze, duke bindur me rezultat, por edhe me lojë. Shpresoj të vijojnë në këtë ritëm deri në fundin e kampionatit.

Sukseset e kuqebluve kundër Egnatias dhe Dinamos kanë treguar qartazi forcën e shkodranëve…

Këto janë skuadrat ndaj të cilave Vllaznia duhet të tregojë veten, ndoshta duke përfshirë edhe Elbasanin e Partizanin. Ekipi ka bërë diferencën në duelet direkte me rivalët e kreut dhe kjo të jep garanci. Jo vetëm në aspektin e rezultateve, por edhe në atë moral pasi i di forcat e tua dhe i ke vërtetuar në fushë. Megjithëse nuk duhen nënvlerësuar as ndeshjet me rivalët e pjesës së poshtme të tabelës dhe aty Vllaznia duhet të marrë gjithmonë maksimumin. Pavarësisht siç e thashë, në Superiore nuk ka ndeshje të lehta dhe rivalë të lehtë për t’u kaluar.

A mund të jetë ky viti i duhur që kuqeblutë të rikthejnë titullin në Shkodër pas 25 vitesh mungesë?

Është e vërtetë që titulli mungon prej shumë vitesh në Shkodër dhe tek Vllaznia dhe besoj se ajo tifozeri ka merituar shumë më shumë gjatë këtyre dekadave. Uroj dhe shpresoj që ky të jetë viti i duhur që Vllaznia të marrë titullin kampion dhe besoj se edhe vetë përbërja e ekipit të jep shumë optimizëm. Me futbollistë si: Balaj, Mala, Krymi, Hakaj, Kastrati, Kallaku e të tjerë që janë më të spikaturit e kampionatit shqiptar dhe një garanci për objektivat e skuadrës. Pa harruar edhe trajnerin Martini e drejtorin Sinani, që janë dy legjenda të Vllaznisë dhe më mirë se ata nuk besoj se di dikush se si shkohet tek titulli kampion.

Në fund si një “ish” i dy skuadrave, si e parashikon dhe mendon duelin e kësaj fundjave mes Vllaznisë dhe Partizanit?

Për mua të fitojë skuadra më e mirë dhe që e meriton në fushën e lojës (qesh). Aktualisht Partizanin e shoh disi më në disavantazh ndaj Vllaznisë sepse shkodranët janë në një moment super. Ndryshe nga Partizani që po ka oshilacione dhe nuk po krijon stabilitet. Megjithëse kur përballë janë dy ekipe të traditës, “harrohet” forma aktuale dhe gjithçka ndryshon, dhe them se edhe te Vllaznia e dinë mirë këtë fakt. Personalisht pres një ndeshje të hapur në Shkodër dhe me gola ditën e shtunë.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













Source link

Lajme të ngjashme

Me shumë

Trending

Kthehu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *