Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Kosovës një skaner mobil Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh për të forcuar sigurinë kufitare.
Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se luftimi i trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më konkurruese.
“Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”- njofton Ambasada amerikane më 22.01.2026.
Në fotografitë e publikuara shihet e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati; ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu.
Ceremonia e inagugurimit të skanerit mobil, investim në forcimin e kontrolleve doganore dhe rritjen e sigurisë kufitareu mbajt në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Skanerët Rapiscan janë sisteme të avancuara të kontrollit të sigurisë, të prodhuara nga kompania amerikane Rapiscan Systems, e specializuar në teknologji zbulimi.
Ata përdoren gjerësisht në pikat kufitare dhe doganat, portet dhe aeroportet, objektet qeveritare dhe ushtarake e infrastrukturën kritike.
Në varësi të modelit, skanerët Rapiscan mund të zbulojnë armë dhe mjete shpërthyese; drogë dhe kontrabandë; mallra të falsifikuara ose të padeklaruara dhe objekte të fshehura në automjete, kontejnerë apo bagazhe.
Shumica e skanerëve Rapiscan përdorin teknologji me rreze X (përfshirë rreze X me energji të lartë për ngarkesa të mëdha) dhe softuer të avancuar analizues, i cili identifikon forma, dendësi dhe materiale.


