Pa ndihmë s’ia dalin, 800 familje në mbijetesë

January 22, 2026 · arsoadmin


Të dhënat e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër tregojnë se gjatë vitit që kaloi numri i familjeve që marrin asistencë sociale ka arritur në 798. Kjo dëshmon se edhe më tej, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, një pjesë e madhe e popullsisë vazhdon të ballafaqohet me probleme sociale

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 22 janar – Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, ku migrimi mbetet një nga plagët kryesore, po rritet edhe numri i familjeve që marrin asistencë sociale. Sipas institucioneve kompetente, gjatë vitit 2025 në këto dy komuna është shënuar një rritje e theksuar e familjeve të përfshira në skemat e ndihmës sociale.

Të dhënat e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër tregojnë se gjatë vitit që kaloi numri i familjeve që marrin asistencë sociale ka arritur në 798. Kjo dëshmon se edhe më tej, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, një pjesë e madhe e popullsisë vazhdon të ballafaqohet me probleme sociale.

Vitin e kaluar, në Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale, nga rreth 750 shfrytëzues të ndihmës sociale të evidentuar në muajt e parë, një vit më vonë janë regjistruar afër 800 familje përfituese, me rreth 3.500 banorë. Kjo përfaqëson një rritje graduale pothuajse çdo vit, potencojnë nga Qendra për Punë Sociale në Dibër.

Ndihma sociale vazhdon të mbetet një mbështetje jetike për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht për familjet e papuna, prindërit e vetëm, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Rritja nga 750 në 800 përfitues të asistencës tregon se gjithnjë e më shumë qytetarë po detyrohen t’u drejtohen skemave të mbrojtjes sociale për të siguruar nevojat bazë të jetesës.

Drejtoresha e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, Arlinda Telqiu, për gazetën KOHA thotë se faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje janë papunësia, rritja e kostos së jetesës, çmimet e larta të produkteve ushqimore dhe vështirësitë në sigurimin e të ardhurave të qëndrueshme.

“Rritja e numrit të familjeve që marrin ndihmë sociale është sinjal se një pjesë e madhe e qytetarëve po përballet me pasiguri ekonomike. Ndihma sociale për ta nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”, thotë drejtoresha Telqiu.

Shumë nga përfituesit tregojnë se ndihma sociale, ndonëse modeste, u mundëson të përballojnë shpenzimet minimale për ushqim, energji elektrike, ujë dhe barna. Drita M., 38 vjeçare, nënë e vetme dhe përfituese e kësaj ndihme, shprehet se pa këtë mbështetje do ta kishte të pamundur të siguronte kushtet bazë për fëmijët e saj.

“Kjo ndihmë nuk i zgjidh të gjitha problemet, por na mban sadopak për t’i mbuluar pagesat mujore që i kemi, si rrymën dhe ujin”, thotë ajo.

Ekspertët e çështjeve sociale vlerësojnë se rritja e numrit të shfrytëzuesve duhet të shërbejë si alarm për institucionet, të cilat përveç ndihmës financiare duhet të investojnë më shumë në politika aktive të punësimit, trajnime profesionale dhe programe për përfshirje sociale. Sipas tyre, qëllimi kryesor duhet të jetë jo vetëm mbështetja afatshkurtër, por krijimi i mundësive reale që qytetarët të dalin nga skemat e ndihmës dhe të integrohen në tregun e punës.

Nga ana tjetër, institucionet lokale shprehen se po punohet për rritjen e efikasitetit të skemave sociale dhe për të siguruar që ndihma të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë. Gjithashtu, është paralajmëruar bashkëpunim më i ngushtë me organizata joqeveritare dhe biznese lokale, me qëllim krijimin e projekteve që nxisin vetëpunësimin, punësimin sezonal dhe mbështetjen e familjeve në nevojë. (koha.mk)



Source link