Në rinumërimin e votave po del qartë një fenomen edhe më i rëndë se manipulimi i jashtëm: kandidatët brenda të njëjtit subjekt politik i kanë vjedhur votat njëri-tjetrit. Pikërisht këtë sëmundje e adreson gazetari Jetlir Buja, duke theksuar se problemi nuk është vetëm te skemat e organizuara, por te kultura e servilitetit që e ka gërryer procesin demokratik nga brenda. Kur vota shndërrohet në mjet për t’u dëshmuar para shefit, ajo nuk vidhet për fitore politike, por për nënshtrim personal.
Reagimi i Bujës e zhvesh këtë realitet nga çdo justifikim: këtu nuk kemi garë idesh, por luftë servilësh për favore dhe pozita. Kandidatët nuk përballen me kundërshtarin politik, por me njëri-tjetrin, duke e shkelur vullnetin qytetar për të treguar bindje dhe besnikëri. Në këtë mënyrë, liria politike e fituar me sakrificë degradohet në farsë, ndërsa serviliteti jo vetëm që tolerohet, por shpërblehet si rrugë e sigurt drejt pushtetit.
Postimi i plotë:
Kur e merr një pozitë pushteti, sado e vogël qoftë, s’ka nevojë me çelë konkurs “Kërkoj servilë për punë të ndyta”. Servilët të rrasen vetë sepse ky është karakteri që e kanë.
Nuk e besoj që krejt këta kandidatë për deputetë janë përfshi në vjedhje të votave. Për shembull, edhe Albin Kurtit po i dalin vota më shumë se që i kishte. Çka i duheshin ato? Asgjë hiç.
– Advertisement –
Për një pjesë të votave shpjegimi mund të jetë përnjëmend vjedhja e orkestruar. Por, për një pjesë tjetër besoj që është thjesht nevoja e komisionerëve me e kry detyrën e servilëve. “Shef, 50 vota i ki prej meje hehe”.
Jemi në luftën e servilëve kundër njëri-tjetrit. Sepse këta njerëz po e shohin gjithandej që serviliteti shpërblehet. Bëhesh kryetar komune me servilitet. Ministër. Zëvendësministër. Deputet. Çkado. Dhe kjo as nuk po fshihet më sepse është shndërru në normalitet shoqëror.
Servili po servilohet publikisht. Haptas e paraqet logjikën korruptuese të servilit. Para syve të botës hjekë dorë prej dinjitetit individual. Hjekë dorë prej bindjeve e vlerave personale. Dhe ashtu fëlliqtë i rraset atij që i mendon se i jep diçka. E di që askush më as s’e gjykon as s’e paragjykon.
Një popull që dikur luftonte për liritë e veta politike, sot e gjen veten në luftë për liritë politike të servilit. Po lufton pa e ditë pse që servili jo veç me vjedhë votën për shefin, por edhe me dalë publikisht e me u krenu për atë punë. Po lufton pa e ditë pse që ky servil jo veç me qenë i lirë si sot me fëlliqë hapësirën publike me profile të rrejshme në rrjete sociale, por edhe me dalë e me u fry për atë punë. Është një popull në luftë të ashpër dhe të suksesshme kundër vetes. Kundër lirive politike të cilat i ka fitu me gjak dikur.