Enis Osmani është emëruar zyrtarisht Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke marrë një nga postet më të larta ekzekutive në qeverisjen lokale të qytetit.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Osmani ka shprehur se ky emërim përfaqëson një nder të veçantë, por njëkohësisht edhe një obligim të madh për shërbim publik, me fokus në qeverisje të mirë, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.
Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, për besimin e dhënë, duke theksuar bashkëpunimin e gjatë ndërmjet tyre dhe angazhimin e përbashkët për realizimin e projekteve zhvillimore në Mitrovicë. Sipas Osmanit, vizioni dhe përvoja e kryetarit janë garanci për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
Duke folur për prioritetet e tij në detyrën e re, Osmani ka theksuar se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe projekte që rrisin mirëqenien e përgjithshme. Ai është zotuar se çdo vendimmarrje do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve të Mitrovicës.
Në fund të mesazhit të tij, Osmani ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin, duke u shprehur optimist për rrugëtimin e ri institucional: “Na priftë e mbara!”.