Koordinatorja e VV-së reagon pas shfuqizimit të 13 ligjeve, kritikon vonesën mbi njëvjeçare të vendimit.
Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka akuzuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese se po aktivizohen vetëm atëherë kur, sipas saj, opozitës nuk i ec vota në popull. Ajo reagoi pas vendimit të publikuar të premten, përmes të cilit u shfuqizuan 13 ligje.
Gjykata Kushtetuese njoftoi se partia në pushtet, më 5 dhjetor 2024, kishte shkelur procedurat duke miratuar disa ligje në dy lexime brenda një dite. Vendimi u mor me votën e pesë anëtarëve të Kushtetueses.
Në një reagim në Facebook, Mihali kritikoi ashpër vonesën e Gjykatës për ta trajtuar këtë çështje.
“1 vit e 1 muaj i mbajti të ngujuara dhjetëra ligje të seancës plenare të 5 dhjetorit 2024 Gjykata Kushtetuese. Afati që duhej të përgjigjej ishte maksimumi 3 muaj. Ama priti katër palë zgjedhje dhe të gjitha numërimet e votave,” shkroi ajo.
– Advertisement –
Mihali shtoi se vendimi për ta shpallur joprocedurale seancën plenare të thirrur sipas Rregullores së Kuvendit erdhi vetëm tani, duke vënë në pikëpyetje kompetencën e Gjykatës për t’u marrë me procedurat parlamentare.
“Nuk dihet prej kur Kushtetuesja merret me rregulloret dhe procedurat e seancave, teksa shumica voton dhe vendos se si mbahen ato. Por çka dihet është se 5 anëtarët aktivizohen kur atyre që i kanë jashtë nuk iu ec vota në popull”, përfundoi Mihali.