Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një apel urgjent ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor gjatë natës së sotme, për shkak të motit ekstrem dhe temperaturave që pritet të zbresin deri në –9°C.
Në një njoftim të publikuar, Kurti paralajmëron se rrugët e lagura nga shiu mund të ngrijnë, duke krijuar rrezik të shtuar për shoferët dhe këmbësorët. Ai thekson se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren, duke u përpjekur të lehtësojnë qarkullimin dhe të sigurojnë sigurinë e qytetarëve.
“Kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme sonte. Nëse ka nevojë të lëvizin, është thelbësore të voziteni me kujdes dhe të pajiseni me goma dimërore dhe zinxhirë, sipas ligjit për sezonin dimëror,” shkruan Kryeministri.
Ai gjithashtu thekson se qeveria po bën maksimumin për të garantuar sigurinë, por që kontributi i qytetarëve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe incidente të tjera rrugore.
Apeli vjen në një periudhë kur moti i acartë dhe ngricat e papritura kanë shtuar shqetësimet për qarkullimin në Kosovë, duke e bërë këtë paralajmërim një masë parandaluese thelbësore.
– Advertisement –