Bekim Kupina, këshilltar i presidentes ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklaratave të fundit të Lirim Mehmetajt, të cilat ai i ka cilësuar si thirrje të drejtpërdrejta për dhunë dhe urrejtje ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas Kupinës, thirrja publike që Presidentes “t’i prehet koka” përbën një akt serioz nxitjeje të dhunës dhe nuk mund të mbrohet në asnjë formë si liri e shprehjes. Ai thekson se deklarata të tilla bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, jo vetëm në Kosovë, por në çdo shtet demokratik. Për këtë arsye, ai u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që ta trajtojnë rastin me urgjencë, sipas detyrës zyrtare.
Në reagimin e tij, Kupina i ka quajtur deklarimet e Mehmetajt si tërësisht të pabazuara dhe shpifëse, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi gënjeshtra të përsëritura me qëllim diskreditimin personal dhe institucional të Presidentes dhe familjes së saj. Sipas tij, këto qëndrime nuk synojnë debat publik apo kritikë politike, por krijimin e një klime urrejtjeje dhe denigrimi.
Kupina ka shtuar se Mehmetaj, të cilin e cilëson si përhapës të dezinformatave, riciklon vazhdimisht fyerje, trillime dhe akuza pa bazë faktike, veçanërisht kur i mungojnë argumentet. Kjo gjuhë, sipas tij, jo vetëm që dëmton reputacionin institucional, por edhe nxit kërcënime dhe rrezik real për sigurinë e Presidentes dhe familjarëve të saj.
Postimi i plotë:
– Advertisement –
REAGIM NDAJ THIRRJES SË LIRIM MEHMETAJT QË PRESIDENTES T’I PREHET KOKA
DHE NJOFTIM PËR NDËRMARRJEN E HAPAVE LIGJORË NDAJ SHPIFJEVE DHE KËRCËNIMEVE TË TIJ
Thirrja e Lirim Mehmetajt që Presidentes së Republikës së Kosovës t’i prehet koka përbën thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë, urrejtje dhe sulm. Kjo nuk është liri e shprehjes e mbrojtur me ligj apo Kushtetutë, as në Kosovë dhe as në asnjë vend tjetër demokratik. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje organeve kompetente që, sipas detyrës zyrtare, ta trajtojnë menjëherë këtë kërcënim dhe nxitje të dhunës e urrejtjes nga ana e tij.
Deklarimet e Lirim Mehmetajt kundër Presidentes janë tërësisht të pabazuara dhe përbëjnë shpifje të rënda, të ndërtuara mbi gënjeshtra të përsëritura, me qëllim diskreditimin personal dhe institucional të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe familjes së saj. Këto deklarime nuk synojnë debat publik apo kritikë politike, por denigrim të qëllimshëm dhe nxitje të një klime urrejtjeje.
Si përhapës i njohur dhe i konfirmuar i dezinformatave, sa herë që i mungojnë argumentet, Mehmetaj riciklon fyerje, trillime, kërcënime dhe akuza pa asnjë bazë faktike, duke përdorur gjuhë linçuese dhe insinuata që, përveçse dëmtojnë reputacionin institucional, nxisin edhe kërcënime dhe dhunë ndaj Presidentes dhe familjes së saj.
Presidentja Osmani nuk ka kërcënuar, nuk ka shantazhuar dhe nuk ka ushtruar asnjëherë presion politik ndaj askujt. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe përbën manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Po ashtu, pretendimet për korrupsion, shitje vote, pasuri multimilionëshe, investime në Shqipëri e deklarime të tjera, janë shpifje flagrante dhe tërësisht të pavërteta.
Shpifjet e vazhdueshme të Mehmetajt kundër babait të Presidentes, i cili në fakt ka qenë i burgosur dhe i torturuar në burgjet e Millosheviqit, dëshmojnë se shpërndarja e qëllimshme e këtyre trillimeve për qëllime propagandistike përbën një akt të ulët dhe moralisht të papranueshëm. Për këto akuza tashmë ekzistojnë vendime të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilat i vërtetojnë si të pavërteta. Për rrjedhojë, Lirim Mehmetaj do të përballet me padi për shpifjet e tij.
Është veçanërisht alarmuese gjuha e përdorur në këto sulme, ku përveç shpifjeve dhe trillimeve, bëhen thirrje të hapura për dhunë, përfshirë referenca për prerje kokash dhe linçim. Kjo nuk është as kritikë dhe as opinion, por diskurs i rrezikshëm që synon dehumanizim dhe nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës ndaj Presidentes dhe familjarëve të saj. Një gjuhë e tillë përbën kapërcim të çdo kufiri moral, njerëzor dhe ligjor dhe nuk mund të tolerohet në një shoqëri demokratike.
Liria e shprehjes nuk përfshin dhe nuk mund të justifikojë shpifjen, nxitjen e urrejtjes apo të dhunës. Akuza të rreme, fyerje dhe gënjeshtra të fabrikuara nuk përbëjnë opinion, por cenim serioz të dinjitetit personal dhe institucional, të ndaluar nga Kushtetuta dhe ligji.
Për këto arsye, sikurse edhe më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës dhe familja e saj do të ndjekin rrugën ligjore ndaj Lirim Mehmetajt. Vazhdimi i kësaj fushate shpifëse dhe i kërcënimeve do të trajtohet përmes të gjithë mekanizmave juridikë në dispozicion.