December 22, 2025
JLTV-oklopni-vozila-OSKOS-vo-kasarna-vo-Stip-Ageler-2-bg.jpg


Të gjithë ambasadorët e shkarkuar janë emëruar nga administrata e Bidenit. Diplomatët e rinj duhet të zbatojnë mesazhin “America First”

Dy muaj pasi i skadoi zyrtarisht mandati, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, është shkarkuar me njoftim nga Departamenti i Shtetit. Ageler është në mesin e rreth 30 diplomatëve të karrierës të larguar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Ajo mori detyrën në Maqedoninë e Veriut në nëntor të vitit 2022.

Aktualisht, nuk ka asnjë paralajmërim nga Uashingtoni se kush mund të jetë ambasadori i ardhshëm amerikan në Shkup. Pasi të bëhet nominimi, propozimi duhet të kalojë në Senat për miratim – një proces që mund të zgjasë disa muaj. Këto lëvizje vijnë si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të riformësuar misionet diplomatike amerikane dhe për të emëruar staf që mbështet plotësisht prioritetet e tij, të mishëruara në parullën “America First”.

Sipas burimeve në Departamentin e Shtetit, udhëheqësit e misioneve në të paktën 29 vendeve u njoftuan javën e kaluar se mandati i tyre përfundon në janar. Të gjithë prekurit janë diplomatë karriere dhe jo politikanë, dhe pas kthimit në Ëashington mund të marrin pozita të tjera brenda Shërbimit të Jashtëm. Të gjithë ambasadorët e shkarkuar janë emëruar gjatë administratës së presidentit Joe Biden, por mbetën në pozita edhe pasi Trump mori mandatin e dytë në janar, kur u larguan fillimisht të emëruarit politikë. Ndryshimi ndodhi të mërkurën e kaluar, kur filluan të marrin njoftimet zyrtare për largim.

Këtë informacion fillimisht e publikoi revista amerikane Politico, duke cituar John Dinkelman, kryetar i Shoqatës Amerikane të Diplomatëve dhe punonjës në Departamentin e Shtetit. Sipas tij, ambasadorët duhet të largohen nga vendet ku shërbejnë deri më 15 ose 16 janar. Nuk u dha ndonjë arsye zyrtare për shkarkimin. Dinkelman kritikoi këtë vendim, duke vlerësuar se mund të dëmtojë reputacionin e diplomacisë amerikane. Ai theksoi se ky veprim “vazhdon të minojë besimin në aftësinë e Shërbimit të Jashtëm profesional për të zbatuar në mënyrë efektive politikat e udhëheqjes së zgjedhur”.

Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit këmbënguli se shkarkimet janë “proces standard në çdo administratë”. “Ambasadori është përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejta e tij të sigurojë që në ato vende të ketë individë që promovojnë agjendën ‘America First’.” Departamenti i Shtetit nuk komentoi numrin e saktë të ambasadorëve të shkarkuar, por ritheksoi se ambasadorët shërbejnë sipas vullnetit të presidentit, pavarësisht nëse janë të emëruar politikisht apo diplomatë karriere.

Ku ka ndodhur ndryshimi i ambasadorëve? Përveç Maqedonisë së Veriut, lëvizje ka pasur edhe në Evropë (Armeni, Mal të Zi dhe Sllovaki), në Afrikë kontinenti më i prekur, me largimin e ambasadorëve në 13 vende, në Azi në 12 shtete dhe në Amerikën Latine dhe Karaibet – në dy shtete.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *