Duket se në këtë sezon të “Big Brother VIP”, Ledion Liço ka zgjedhur ironinë dhe batutat si armën e tij kryesore, sa herë që i jepet mundësia, ndërsa publikut i mbetet detyra t’i deshifrojë nëntekstet.
Dhe sinjali i parë nuk vonoi të vinte.
Gjatë spektaklit, opinionisti Arbër Hajdari komentoi se banorët e këtij edicioni duken të zotë në batuta dhe parashikoi se “do të jemi mirë”. Ledioni reagoi menjëherë me humor, duke thënë:
“Pra, ne të dy do të lodhemi më pak.”
Arbri vijoi me shaka: “ose gara do të jetë më e fortë”. Por Ledioni e shfrytëzoi menjëherë momentin për një tjetër thumb:
“Jo mo jo, ishte edicion tjetër ai ku prezantuesi ishte në garë me konkurrentët.”
Kaq mjaftoi që në YouTube të shpërthenin komentet e publikut: “Me Arbanën e ka?”, “Po me Arbanën e kishte”, “Sigurisht që e ka me Arbanën” dhe shumë të tjera të ngjashme.
Në fakt, edicioni i “Big Brother VIP” që mbahet mend më së shumti për batutat – ose më saktë për një konkurrent që i dominoi ato – ishte BBV 2, ku në qendër të vëmendjes ishte Luiz Ejlli. Në atë periudhë, reality show drejtohej nga Arbana Osmani.