Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se Perëndimi ka bërë disa herë thirrje për t’u përgatitur për një luftë të madhe me Rusinë – duke e përshkruar këtë si “histeri” dhe “gënjeshtër”, raporton “Reuters”.
Ai tha gjithashtu se nëse Ukraina dhe Perëndimi braktisin bisedimet e paqes, atëherë Rusia do të marrë territoret që pretendon në Ukrainë me mjete ushtarake.
Kremlini tha më herët se qëndrimi i Rusisë për dislokimin e trupave evropiane në Ukrainë – sipas një marrëveshjeje të mundshme paqeje – të ndërmjetësuar nga SHBA-ja – ishte i njohur gjerësisht, por vendi mbetej i hapur për diskutime.
“The New York Times” raportoi se sipas propozimeve aktuale të SHBA-së, Ukraina do të merrte një garanci sigurie nga Perëndimi dhe se një forcë ushtarake e udhëhequr nga Evropa do të ndihmonte Ukrainën – duke vepruar në Ukrainën Perëndimore larg vijave të frontit.
“Nuk do të doja të jepja një koment të vazhdueshëm për median në lidhje me diplomacinë, por qëndrimi i Rusisë – që kundërshton çdo dislokim të tillë – është i qartë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Qëndrimi ynë mbi kontingjentet ushtarake të huaja në territorin e Ukrainës është i njohur mirë dhe absolutisht i qëndrueshëm dhe i kuptueshëm. Por sërish, kjo është një temë për diskutim”, u tha Peskov gazetarëve.
Gjithashtu, Peskov tha se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff nuk pritej të vizitonte Moskën këtë javë.
“Rusia pret që SHBA-ja të informojë Moskën për rezultatet e bisedimeve me Ukrainën sapo të jetë gati”, shtoi ai.